Rreth një vit pas vdekjes së Sevdije Kuklecit nga Komuna e Istogut, Prokuroria Themelore e Pejës ka vendosur t’i mbyllë hetimet rreth rrethanave për vdekjen e saj.
39-vjeçarja nuk mbijetoi pas trajtimit në Spitalin e Pejës e në QKUK, dhe u tha se vdiq nga COVID-19.
Por familjarë të saj vazhdimisht kanë kundërshtuar dhe kanë kërkuar që t’i bëhet obduksioni, për çka doli se ajo vdiq si pasojë e helmimit të gjakut.
Familjarët e saj kishin ngritur dyshime se ajo ka vdekur si pasojë e neglizhencës së disa mjekëve në Spitalin e Pejës, për çka edhe u hap rasti në Prokurori.
“As institucionet shëndetësore e as ato të drejtësisë nuk e kanë trajtuar rastin e motrës ashtu qysh është dashur, me u trajtu si çdo qytetar i Kosovë. Institucionet e drejtësisë e kanë neglizhuar rastin, por edhe ato të drejtësisë janë pajtuar me neglizhencë dhe e kanë trajtuar si të paqëllimshme”, ka deklaruar Fatime Salihi, motra e së ndjerës.
Sipas saj, si shkak i mosbesimit në institucionet e Kosovës nuk do të vazhdojnë ta dërgojnë rastin në instanca të tjera.
Për këtë në Prokurori nuk kanë kthyer përgjigje nga e enjte. Por në një shkresë të cilën e ka KOHA thuhet se pas shqyrtimit të ekspertizës mjekësore, Prokuroria ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale nuk ka asnjë provë që do të vërtetonte dyshimin e arsyeshëm se mjekët e dyshuar nga Peja kanë kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.
E në ekspertizën mjekësore të cilën e ka kryer stafi i QKUK-së, thuhet se trajtimi ka qenë në bazë të protokolleve. Por në fjalinë e parë të konkluzioneve të tyre thuhet se “rasti në fjalë ka qenë shumë kompleks për trajtim jo vetëm për mjekët tanë, por edhe për mjekësinë që punon në kushte shumë më të mira kudo në botë”.
Megjithatë, nuk kanë qenë të shpeshta rastet kur në prokuroritë në komuna të Kosovës u ka shkuar kërkesa për obduksion për personat që kanë vdekur nga COVID-19.
Arsim Gerxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, thotë se e kanë pasur të vështirë të merren me këto raste shkaku i rrezikut të infektimit.
“Që në fillim të pandemisë, përveç rasteve të oksigjenit dhe kemi pasur edhe rast të tjera që janë ndërlidhur me ndonjë vepër të dyshuar penale, ne çdo rasti i kemi marr mostra pa marr parasysh, të gjitha rasteve që janë bërë autopsia, dhe sidomos kah mesi vera e kaluar diku rreth 60 % që kanë dalë pozitivë”, ka pohuar Arsim Gerxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Në Kosovë nga shfaqja e rasteve të para me koronavirus e deri tash kanë vdekur mbi 2 mijë persona.