Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) ka shkruar për thirrjen publike të KOHËS drejtuar lexuesve të saj, që ta përkrahin gazetarinë e pavarur, profesionale e të besueshme në këtë periudhë të sfidave ekonomike e të dezinformimit
FAZ-i ka vlerësuar lartë rolin e KOHËS si media në Kosovë, rolin e saj në kulturën politike të vendit, në informimin e publikut dhe mbikëqyrjen e pushtetit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDuke iu referuar si shtëpia mediatike më e rëndësishme në Kosovë, FAZ-i ka shkruar se KOHA po përballet me presion të shtuar ekonomik.
Në intervistën për FAZ, drejtoresha KOHËS, Flaka Surroi, ka shpjeguar se kriza u thellua gjatë pandemisë, kur gazeta u detyrua të ndalojë botimin e shtypur, fillimisht për shkak të pamundësisë së shpërndarjes, e më pas për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve të letrës dhe kostove të tjera. Surroi ka thënë se humbja e të ardhurave nga reklamat, që lidhej me ndërprerjen e botimit print, rezultoi e pazëvendësueshme.
Sipas Surroit, KOHA nuk praktikon gazetari me porosi dhe i përmbahet rreptësisht pavarësisë editoriale. Ajo është shprehur se KOHA nuk pranon pagesa të fshehta për publikimin e sondazheve të manipuluara gjatë fushatave zgjedhore, nuk e vendos pavarësinë e saj në shitje, nuk është kontrollin e askujt e nuk përkulet para presionit.
Gazeta gjermane ka rikujtuar edhe rastet kur KOHA ka sfiduar akterë të fuqishëm, përfshirë zbulimin e një skandali korrupsioni në misionin evropian EULEX në vitin 2014, si dhe publikimin e dëshmive për ndërhyrje diplomatike në procesin e zgjedhjes së presidentit në vitin 2011.
KOHA këtë javë ka lansuar një platformë përmes së cilës i fton lexuesit dhe u jep mundësi që ta përkrahin gazetarinë e pavarur, profesionale e të besueshme.
Kjo është një praktikë e dëshmuar ndër vite nga media tradicionale në botë, të cilat janë përballur me sfida si transformimet digjitale dhe zhvendosja e tregut të reklamave.
Këso platforma kanë aplikuar më parë edhe The Guardian e The Associated Press.