Kuvendi Komunal në Ferizaj ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme me qëllim të miratimit të rritjes së të hyrave vetjake për vitin 2023 në vlerë prej 1 milion e 281 mijë e 743.30 euro. Me këto mjete, komuna ka planifikuar t’i paguajë disa shpenzime të kontratave kolektive për punëtorët e shëndetësisë nëpërmjet “Caritas Kosova” dhe disa shpenzime të tjera në sektorin e arsimit.
Ditë më parë KOHA ka raportuar se 220 punonjës shëndetësorë në QKMF përmes kontratës me “Caritas Kosova”, prej disa muajsh kanë mbetur pa paga. Sipas zyrtarëve komunalë bartja e këtyre mjeteve nga të hyrat vetjake po bëhet mbi bazën e ligjit të buxhetit Nr . 08/L-193 për vitin 2023, ani pse në të kaluarën mjetet e tilla të mbetur janë bartur në fillim të vitit vijues.
Sebahate Ajeti-Sadiku, drejtoreshë për Financa në Komunën e Ferizajt ka thënë se planifikimi i inkasimit të hyrave vetjake të komunës për vitin 2023 është 6,435,923.92 euro, ndërsa inkasimi për këtë vit deri më datën 31.10.2023 është 7,717,667.22 euro.
“Diferenca prej 1,281,743.30 euro janë rezultat i tejkalimit të hyrave. Vendimi duhet të merret për shkak të alokimit të mjeteve të nevojshme për shlyerjen e obligimeve të këtij viti meqenëse gjatë muajve të kaluar kemi pasur ekzekutim të vendimeve gjyqësore përmes përmbaruesit”, ka thënë midis të tjerash Ajeti. Ajo më tej i ka njoftuar kuvendarët edhe për kategorinë ekonomike ku është bërë shpërndarja e rritjes së të hyrave vetjake për vitin fiskal 2023. “Këto mjete shkojnë tek mallrat dhe shërbimet me një shumë prej 1,131,743.30 euro, ndërsa tek shpenzimet komunale janë paraparë 150,000.00 euro”, ka sqaruar Sadiku.