Fermerët në Komunën e Lipjanit po vazhdojnë të presin në radhë të gjata për të aplikuar për subvencione për kulturat bujqësore. KOHA, ditë më parë ka raportuar se fermerët e kësaj komune kanë pritur në radhë që nga ora 01:30 pas mesnatës për të marrë numër rendor për aplikim. Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë ka shtyrë afatin kohor edhe për disa ditë për të aplikuar fermerët në gjithë vendin.
Leonora Behluli-Arifi, shefe e Divizionit për Komunikim me Publikun, nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN ka thënë se Ministria tashmë ka marrë vendim që të shtyhet për disa ditë afati kohor për aplikim të fermerëve për subvencione.
“Ju njoftojmë se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë vendim për zgjatjen e afatit për aplikim për pagesa direkte/subvencione për kulturat bujqësore për vitin 2023, nga data 30 mars deri me 06 prill 2023 në ora 16:00. Me këtë rast ju njoftojmë gjithashtu se procedurat e aplikimit dhe dokumentacioni mbetet i njëjtë”, ka thënë Arifi.
Ramë Bardhi, fermer nga Lipjani, ka thënë se Ministria duhet ta ketë parasysh që gjatë vjetëve të ardhshme t’i lehtësojë procedurat për aplikim të subvencioneve.
“Urojmë që edhe për këto pak ditë që kanë mbetur të arrijmë të gjithë të aplikojmë, prandaj është mirë që Ministria e ka kuptuar mesazhin e fermerëve që afati duhet të shtyhet. Nuk e di nëse është i mjaftueshëm ky afat, por ne kërkojmë që telashet e tilla mos të përsëriten në vitin e ardhshëm sepse kriteret dhe procedurat janë shumë të rënda për fermerët. Pra secili fermer është i regjistruar në databazë të shtetit edhe për sipërfaqen e tokës edhe për dokumente personale, andaj duhet të thjeshtësohen edhe këto procedura e po ashtu duhet të rritet edhe numri i zyrtarëve që punojnë nëpër sportele”, ka thënë Bardhi.
Lipjani numëron rreth një mije e 500 fermer