Fondi për të Drejtën Humanitare ka deklaruar se aktakuzat dhe gjykimet në mungesë ndaj të dyshuarve për krime lufte në Kosovë, janë si të tilla për shkak të politikave së autoriteteve serbe.
Në një raport të publikuar të hënën, Fondi ka shkruar se politikat serbe përfshijnë relativizimin e krimeve të luftës, mbrojtjen e oficerëve të lartë serbë, refuzimin për të bashkëpunuar me gjyqësorin në Kosovë, ndërhyrjen direkte në punën e Prokurorisë për Krime Lufte dhe krijimin e një klime politike “ku vendimet ndërkombëtare dhe faktet interpretohen nga kriminelë të dënuar”.
Në raport, Fondi ka shkruar se 53 të akuzuarit, pjesëtarë të forcave serbe, akuzohen për bashkëpjesëmarrje në ndërmarrje të përbashkët kriminale për krimet në Mejë, Korenicë, Pacë, Rracaj, Nec, Dobrosh, Ramoc dhe Bishtazhin.
Aty u theksua edhe roli i Prokurorisë serbe, ku tha se “ka përgjegjës institucionale për mosveprim të ligjshëm në vitin 2015, kur një prokuror i EULEX-it kishte lëshuar urdhërarrest për 17 persona, përfshirë edhe ish-shefin e Sigurisë në Prishtinë, Momir Stojanoviq”.
“Në vend që të niste hetime mbi bazën e provave EULEX-it, Prokuroria serbe lëshoi një deklaratë politike duke pretenduar se Stojanoviqi nuk figuronte në regjistrat e tyre si përgjegjës i mundshëm’”, thuhet në raportin e Fondit.
Fondi ka përmendur masakrimin e civilëve dhe më pas gjetjen e trupave të viktimave në tetë varreza masive në Batajnicë.
“Mbi 20.000 persona u dëbuan me forcë në drejtim të Shqipërisë, ndërsa pronat e tyre u plaçkitën dhe u shkatërruan...Në prill të 2025-s, Prokuroria Speciale për Krime Lufte në Kosovë ka ngritur aktakuzë kundër 53 pjesëtarëve të forcave serbe, si komandantë të lartë apo si kryes të drejtpërdrejtë të krimeve. Ndër ta janë Momir Stojanoviq (shef i Sigurisë të Prishtinës), Sergej Peroviq (shef i Sigurisë i Brigadës së 52-të të Artilerisë) dhe Milan Kotur (shef i këmbësorisë në Korpusin e Prishtinës). Ata akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 370 civilëve, dëbimin e mbi 20.000 personave drejt Shqipërisë përmes dy pikëkalimeve kufitare, si dhe për plaçkitje dhe shkatërrim prone”, thuhet tutje.
Fondi tha ekziston nevojë urgjente për komunikim mes institucioneve gjyqësore të Serbisë dhe të Kosovës, me përfshirjen “profesionale të EULEX-it dhe mekanizmit ndërkombëtar për tribunale penale”.
“FDH thekson se gjykimet në mungesë janë çështje politike, jo juridike, dhe se duhet gjetur një zgjidhje që të sigurojë zhvillimin e proceseve të rregullta dhe dhënien e vendimeve të drejta si për viktimat, ashtu edhe për të pandehurit”, thuhet tutje.