Arbëri

Fshati Peqan me rrjet ujësjellësi e pa ujë

Janë 630 shtëpi në fshatin Peqan të Suharekës që prej vjetësh nuk janë të lidhur me ujësjellës. Banorët thonë se janë detyruar të hapin puseta për t’u furnizuar me ujë të pijshëm. Ata ankohen se pavarësisht investimeve, zgjidhje nuk u është bërë. E në Komunën e Suharekës dhe në KRU “Hidroregjioni Jugor” thanë se banorët e pamundësuan instalimin e ujëmatësve

Fshati Peqan, që ndodhet tre kilometra larg qytetit të Suharekës, përballet prej vitesh me mungesë të ujit të pijshëm. Banorët e tij ankohen se me gjithë investimet e bëra në rrjet, furnizimi nuk mbërrin te 630 shtëpitë me afro 3 mijë e 500 banorë.

Kryetari i fshatit, Mentor Elshani, thotë se uji rrjedh dhe humbet pa u shfrytëzuar.

“Në krejt katunin kemi puseta të ujit. Meqë s’kem ujë, investojmë nëpër bunarë”, ka thënë Elshani.

Ai thotë se procesi i lidhjes me ujësjellësin ka ngecur te vendosja e orëmatësve për kontrollimin e shpenzimit.

“Diku rreth 210 ora janë qitë, por as ato ora nuk kanë ujë. ‘Hidroregjioni’ e gjuan te komuna fajin, komuna thotë unë jap pare... E kemi marrë një aksion, dolëm me kryetarin dhe me atë drejtorin e ‘Hidroregjionit’. Jo s’po lanë. Në krejt shtëpitë ku trokitëm, thanë jo more bjere se, bjerini ujin, kush s’po len me i ngjitë orët?”, ka thënë ky banor.

Në Komunën e Suharekës pranuan se nuk kanë arritur ta furnizojnë fshatin me ujë të pijshëm.

Kryetari, Bali Muharremi, thotë se komuna e ka kryer obligimin, duke ndarë mjete financiare për KRU “Hidroregjionin Jugor”.

“Mjetet shkojnë përmes ‘Hidroregjionit’. ‘Hidroregjioni’ i shpall tenderët, ata e mbikëqyrin. Në fshatin Peqan është specifike, pasi që disa banorë nuk kanë lejuar që shaktat të dalin jashtë dyerve të oborrit. Kështu që ‘Hidroregjioni’ ka marrë vendim që shaktat të vendosen jashtë dyerve të oborrit, për shkak se më lehtë me i kontrollu. Është e vërtetë që Peqani ka ujë të mjaftueshëm, por banorët nuk furnizohen me ujë”, ka thënë Muharremaj.

E në kompaninë “Hidroregjioni Jugor” thanë se në këtë fshat banorët e kanë penguar përmbylljen e projekteve të planifikuara.

“Përmes Memorandumeve të Bashkëpunimit me Komunën janë realizuar dy kontrata për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në Fshatin Peqan. Investimet e realizuara nga Komuna e Suharekës dhe KRU “HRJ” janë fokusuar në zona të caktuara të fshatit (jo në të gjithë fshatin), ku një pjesë e fshatit e përdor ujin nga i njëjti burim (Vrella e Peqanit), i cili ka qenë i menduar të shfrytëzohet dhe të kalojë nën menaxhimin e plotë të KRU “HRJ”. Pjesa e fshatit që e përdor ujin nga ky burim, ka vazhduar të jetë një pengesë për realizimin e projekteve të parapara”, thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie.

Në këtë kompani thanë se kontrata e 2022-tës për lidhjet shtëpiake e rehabilitimin e ujësjellësit për këtë fshat është ndërprerë si pasojë e pamundësisë së instalimit të ujëmatësve.