Prej dy javësh, mbeturinat nuk janë grumbulluar në disa fshatra të Podujevës. Për pasojë, kontejnerë të stërmbushur e që kundërmojnë, shihen kudo në rrugë. Në kompaninë rajonale “Pastrimi” arsyetuan vonesat, duke thënë se kanë disa kamionë në servisim
Sapo hap derën e oborrit, Kastriot Veliun e pret e njëjta pamje – plot mbeturina.
Para secilës shtëpi në rrugët e fshatit Gllamnik të Podujevës, ndodhen kontejnerë të stërmbushur prej dy javësh, që kundërmojnë erë të rëndë.
“Kjo është pasqyra e kësaj rruge. Kur vijnë mysafirët, e shohin koshin e mbeturinave jashtë. Ka kundërmim të erës. Zakonisht vijnë t'i marrin të enjten. Ka vonesa herë pas here për një ditë dhe është e menaxhueshme, por kur kalon dita e tretë ose e katërt, bëhet problem”, ka thënë banori i këtij fshati, Kastriot Veliu.
Përgjegjëse për grumbullimin e mbeturinave në këtë fshat është kompania rajonale “Pastrimi”.
Banorët ankohen se ndonëse faturat i paguajnë me kohë, grumbullimi i mbeturinave nuk bëhet sipas orarit.
Edhe
Dy javë me kontejnerë të stërmbushur në Podujevë
"Qe dy javë mbeturinat nuk i kanë marrë. Çdo mëngjes kur dal për në punë nuk mund të kaloj prej qenve, sepse i shqyejnë qeset me mbeturina. Më duhet t'i pastroj vetë dhe t'i fus përsëri në qese, pothuajse çdo ditë", ka thënë banori tjetër i Gllamnikut, Bahri Abdullahu.
Hallin e njëjtë e ka edhe Nystret Bashota nga fshati Llapashticë. Ai thotë se, për shkak të vonesave, qentë endacakë shpesh i rrëzojnë kontejnerët.
"Gjendja me mbeturinat është prej shumë vitesh. Nuk i marrin kurrë me rregull. Herë një javë, herë dy javë. Erërat na mbytin, ndërsa qentë i shpërndajnë mbeturinat. Çdo mëngjes duhet t'i mbledhim prapë. I nxjerrim të mërkurën në mbrëmje që t'i marrin të enjten në mëngjes", ka thënë Bashota.
Vonesa në grumbullimin e mbeturinave ka edhe në fshatrat Ballofc, Sekiraçë dhe disa të tjerë të Podujevës.
Banorë thonë se janë ankuar në Komunën e Podujevës, por zgjidhje nuk është bërë.
Edhe
“Pastrimi” arsyetohet për mosmbledhjen e bërllokut: Ka ndryshuar orari i operimit të deponisë
KOHA ka dërguar pyetje edhe në Komunë, por gjatë të martës nuk ka marrë përgjigje.
E, në një njoftim e bërë më 25 qershor, Komuna e Podujevës bëri të ditur se, nga 1 korriku, 22 fshatra hyjnë nën menaxhimin e kompanisë private “Natyra”, për shkak të pamundësisë së kompanisë “Pastrimi” për të siguruar grumbullim të rregullt të mbeturinave.
E, në Kompani kanë thënë se arsyeja e vonesës në ofrimin e shërbimit është se tre kamionë ndodhen në riparim.
"Për shkak të kostos së lartë të pjesëve rezervë dhe procedurave të prokurimit publik, riparimi i tyre ka kërkuar më shumë kohë sesa ishte planifikuar", thuhet në përgjigjen e kompanisë “Pastrimi”.
Edhe
Komunat përreth Prishtinës të pakënaqura me shërbimet e K.R.M “Pastrimi”
Sipas kompanisë, ekipet janë duke operuar me tri ndërrime për të menaxhuar situatën e krijuar.
Ankesa në kompaninë “Pastrimi” për vonesa në grumbullimin e mbeturinave janë bërë edhe në Prishtinë, dhe në komuna ku ajo operon si në Fushë-Kosovë e Drenas.