Ekipi pjesëmarrës i Forcës së Sigurisë së Kosovës në garën ushtarake “Cambrian Patrol” në Mbretërinë e Bashkuar, ka marrë medalje të argjendtë në mesin e 118 ekipeve nga e mbarë bota.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ekipi i FSK-së nga Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë e ka vendosur emrin e Kosovës në piedestalin e nderit ndërkombëtar.
“Forca e Sigurisë së Kosovës ka shkëlqyer në një nga garat më të vështira ushtarake në botë, ‘Cambrian Patrol’ në Mbretërinë e Bashkuar, duke u dekoruar me Medaljen e Argjendtë në mesin e 118 ekipeve nga mbarë bota. Ekipi ynë nga Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë tregoi disiplinë, qëndrueshmëri dhe përkushtim shembullor, duke e vendosur emrin e Kosovës në piedestalin e nderit ndërkombëtar.
Me FSK-në, Kosova e fortë dhe krenare gjithnjë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Kjo nuk është hera e parë që FSK-ja zë vendin e dytë në këtë garë ushtarake.
Edhe në vitin 2022, 2021 e 2019, Kosova ishte dekoruar me medalje të argjendtë, ndërsa në vitin 2023 me medalje të bronztë.
Për arritjen e së enjtes, FSK-ja u përgëzua nga ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, e cila tha se pjesëmarrja e saj pasqyron profesionalizëm në rritje dhe përkushtim.