Tridhjetë e gjashtë persona me probleme mendore që kanë kryer vepra penale, janë duke u trajtuar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, i cili ndodhet në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në kohën kur Komunës së Prishtinës i ishte kërkuar leja për ndërtimin e këtij instituti, më 2007, atë e kundërshtoi drejtoresha e atëhershme urbanizmit, Luljeta Çejku-Sokoli, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Ajo nuk ishte pajtuar që të burgosurit psikiatrikë të vendoseshin në atë hapësirë, me arsyetimin se përbënin rrezik për pacientët dhe familjarët e tyre.
Insistimi i vazhdueshëm për të dhënë lejen e ndërtimit, Çejku-Sokoli thotë se e shtyu të jepte dorëheqje.
Praninë e Institutit në hapësirën e QKUK-së e vlerësojnë të rrezikshme edhe njohësit e çështjeve të sigurisë.
Se lokacioni nuk është i përshtatshëm e thotë edhe drejtori i Institutit, Gani Halilaj.
Megjithatë, Halilaj thotë se personat që trajtohen në institut, nuk i rrezikojnë frekuentuesit e tjerë të QKUK-së, pasi ata nuk lejohen të dalin jashtë.
Derisa instituti funksionon, sipas drejtorit Halilaj, ai nuk e ka të zgjidhur statusin e tij.
Ministria e Shëndetësisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të televizionit, nëse do ta marrë institutin në kuadër të saj, apo nëse do të mbetet pjesë e Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, siç është aktualisht.
Për këtë çështje, nuk është deklaruar as Komuna e Prishtinës.