Arbëri

Furnizimin me insulinë qytetarët e bëjnë në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut

Mungesa e insulinës në barnatoret publike e në ato private po u shkakton probleme të shumta personave që janë me diabet e që e kanë të domosdoshme përdorimin e tyre. Derisa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se janë në pritje që furnizimi me to të bëhet brenda muajit, Komuna e Prishtinës ka hapur tender për këtë

Për afro tre muaj në raftet e barnatores së QKMF-së, në Prishtinë, nuk gjenden dy lloje të insulinave analoge. Në kryeqytet janë të regjistruar mbi 2 mijë persona të cilët marrin insulina në baza ditore, por shkaku i mungesës edhe në tregun privat ata kanë mbetur pa to.

Ragip Haxha, qytetar nga Prishtina, këtë të premte kishte ardhur për të parë mos janë furnizuar me insulinë, të cilat tash e 20 vjet i përdor. Por ai u kthye me përgjigjen që ende nuk ka insulina dhe se duhet të gjejë ndonjë zgjidhje tjetër.

“Qe katër herë kam ardhur, por s’ka. Edhe në barnatore kam këqyrë s’ka, janë hup, kam këqyrë në krejt barnatoret s’ka hiç. Po duhet me i nejtë gati sabah-aksham që mos me hyp sheqeri nalt”, shprehet ai, teksa tregon se nuk mund të shkojë jashtë vendin për të blerë.

Sipas përgjegjësve të barnatores së QKMF-së në Prishtinë, ende nuk kanë ndonjë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë se kur do të furnizohen me këtë ilaç, derisa kërkesat janë të mëdha. Fatos Aliu, përgjegjës i barnatores së QKMF-së në kryeqytet, tregon se i kanë mbi 3 mijë pacientë të regjistruar që furnizohen me 3 lloje të insulinave, dy prej të cilëve tashmë mungojnë.

“Interesimi prej pacientëve është normal i madh se kanë nevojë, është produkt që përdoret dy ose tri herë brenda ditës dhe e kanë me patjetër me e marrë”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, Elona Koprani-Ahmeti, farmaciste në barnatore private, thotë se interesimi për këtë lloj medikamenti është rritur shumë muajt e fundit dhe se edhe barnatoret private nuk e kanë më.

“Muajt e fundit ka kërkesë të madhe sidomos për insulinën “NovoMix”. Insulina nevojitet tek pacientet që janë me diabet të tipit 1 dhe janë të varur prej insulinës”, shprehet ajo.

Mosveprimi i shpejtë i institucioneve ka bërë që Komuna e Prishtinës të hapë vetë tender për furnizim me insulinë. Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, thotë se tenderi vazhdon të jetë i hapur dhe se shpresojnë se do të gjejnë një zgjidhje sa më shpejt.

“Si rezultat i mosrefuzimit me dy lloje kryesore të insulinave, njëra qe 3 muaj e tjetra 2 muaj, me insulinë të veprimit të shpejtë dhe asaj me veprim të shpejtë të mesëm, e që qytetarët furnizohen me rreth 7 mijë brenda muajit dhe kemi bërë një kërkesë për të nisur një procedurë tenderuese”, thotë ai.

Sipas, Gashit i cili është dhe pjesë e Departamentit për shëndetësi në kuadër të Asociacionit të Komunave, situatë e njëjtë e shqetësuese është në të gjitha komunat e vendit.

Shkupi e Kukësi janë vendet ku kosovarët tashmë po furnizohen me insulina, derisa kjo temë u diskutua edhe në Kuvendin e Kosovës. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, tha se Kosova ka një qeveri dhe është shtet, prandaj tha se mos po teprohet duke u furnizua me insulina dhe vaksina nga Shqipëria.

“Jeni ministër dhe duheni të bëni zgjidhje, sepse në vazhdimësi qytetarët po na drejtohen për mungesë të insulinave dhe qytetarët po detyrohen të gjejnë zgjidhje në Republikën e Shqipërisë. Mirë që e kemi Shqipërinë edhe për vaksina, edhe për insulina, por mos po e teprojmë. E kemi një qeveri dhe një shtet dhe duhet t’i sigurojmë edhe vaksinat, dhe insulinat”, shprehet ajo.

Derisa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se kjo ministri ka iniciuar procedurat për kontraktimin e insulinave për një periudhë katërmujore.

“MSh ka kërkuar inicimin e procedurës së kontraktimit të insulinave për një periudhë katërmujore, kjo procedurë është në proces dhe presim që brenda muajit të kontraktohet sasi e mjaftueshme deri në përfundimin e procedurës së lartcekur”, ka deklaruar Vitia.

Një tender në vlerë prej 7 milionë eurosh për furnizim me insulina, i hapur nga Ministria e Shëndetësisë që nga dhjetori i vitit të kaluar, ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, si shkak i ankesave nga kompanitë konkurruese.