Arbëri

Fushë-Kosova do ta ndalojë me rregullore shkeljen dhe fotografimin e varrezave

Fushe-Kosova

Një varg ndalesash kanë vënë komunarët e Fushë-Kosovës në projekt-rregulloren për varreza, ofrimin e shërbimeve të varrimit, rregullimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

Në këtë dokument, që është vënë në diskutim publik, parashihet e ndalimi i shkeljes apo kapërcimi nëpër varreza. Në nenin 17, që flet për ndalesat, thuhet se në varreza ndalohet: shkatërrimi me qëllim i vendvarrimeve; shkelja dhe kapërcimi nëpër varre dhe varreza; shkaktimi i dëmit në varreza ose në shenjat tjera përkujtimore (në përmendore dhe objekte tjera përkujtimore në varreza); prishja e rendit në varreza; thyerja e rrethojave në varreza, dëmtimi i sipërfaqeve të gjelbëruara, drurëve dhe bimëve tjera të mbjella në varreza.

Po ashtu ndalohet hyrja në hapësirën e varrezave me automjete private dhe mjete tjera tërheqëse pa pëlqim paraprak te organeve komunale; futja e kafshëve; krijimi i papastërtisë në shtigjet dhe në sipërfaqet e gjelbëruara, vendosja ose hedhja e kurorave të vyshkura, luleve të vyshkura ose sendeve tjera; fotografimi pa leje i varrezave për çështje profesionale dhe shpërndarja e fletëpalosjeve; sjellja dhe lënia pa leje e sendeve të ndryshme në varre dhe varreza që nuk kanë të bëjnë me varre dhe varreza.

“1.11. Hyrja në objektin ku qëndron kufoma dhe objektet tjera jashtë kohës së përcaktuar për varrim përjashtuar rastet me autorizim të veçantë; 1.12. Ndezja e qirinjve jashtë shtëpizave të parapara në varreza; 1.13. Qëndrimi i lypsarëve brenda dhe në hyrje të varrezave; 1.14. Hedhja e mbeturinave brenda në varreza dhe jashtë varrezave; 1.15. Ushtrimi i çdo lloj tregtie; 1.16. Pjesëmarrja në zhvarrimin e kufomave që nuk i përkasin familjes, përveç rasteve kur ka pëlqimin e palëve, që kanë të drejtë sipas autorizimit të veçantë”, theksohet në këtë dokument.

Në nenin 27 janë paraparë edhe dispozitat ndëshkimore, ku thuhet se për të gjitha veprimet kundërligjore në varreza do të zbatohet dispozita ligjore në fuqi.

“2. Për shkelje të nenit 17 do të dënohen me gjobë: 2.1. Për personin fizik dhe personin përgjegjës të personit juridik në shumën prej 20€-100€; 2.2. Për personin fizik që ushtron biznes individual prej 30€-250€; 2.3. Për personin juridik prej 100€- 1500€. 1. Çdo dispozitë e kësaj Rregulloreje që bie ndesh me ligjet në fuqi, epërsi do të kenë dispozitat ligjore. 2. Me hyrjen në fuqi të kësaj Rregulloreje shfuqizohet Rregullorja për shërbimet e varrimit, rregullimin dhe mirëmbajtjen e varrezave nr. _____ e datës _______2007”.

Ky dokument synon të rregullojë edhe çështje tjera siç është plani i varrezave, dimensionet e varrit, renditja e varrezave, shërbimet e varrimit, nxjerrjen e varrezave jashtë përdorimit, mirëmbajtjen e varrezave, vizitat në varreza, lejen për varrimin, bartjen e kufomës, nderimet për të vdekurin, kohën për shërbimin e varrimit, zhvarrosjen e kufomave, etj.

“1. Mbikëqyrjen në zbatimin e dispozitave të kësaj Rregulloreje e bënë Drejtoria për Shërbime Publike dhe Mjedis si dhe Drejtoria e Inspeksionit. 2. Inspeksioni sanitar gjatë mbikëqyrjes mund të merr masa dhe të urdhërojë marrjen ose mos marrjen e një veprimi të caktuar, në pajtim me dispozitat e kësaj Rregulloreje dhe dispozitat e aplikueshme të ligjit. 3. Në vendimin e Inspeksionit mund të ushtrohet ankesa në afatin prej 8 ditësh nga dita e njoftimit, drejtuar Inspektoratit Sanitar të Kosovës”, theksohet në dokument.