Arbëri

Fushë-Kosova shpenzon rreth 142 mijë euro për automjete e 41 mijë për udhëtime

Komunarët e Fushë-Kosovës kanë shpenzuar 141 mijë e 953 euro për automjete gjatë vitit 2022. Në këtë shumë janë përfshirë ekzekutivi komunal dhe Kuvendi, por jo edhe kujdesi primar shëndetësor dhe shërbimit social. Në raportin financiar janar-dhjetor 2022, të cilën e kanë paraqitur para kuvendarëve, shihet se nga kjo shumë e përgjithshme, më së shumti kanë shpenzuar karburant për vetura 103 mijë e 622 euro. 
Mirëmbajtja dhe riparimi i tyre komunës i ka kushtuar 28 mijë e 705 euro, për sigurimin e automjeteve ka shpenzuar 6 mijë e 111 euro, kurse regjistrimi i tyre u ka kushtuar 3 mijë e 515 euro. 
Zyrtarët komunalë kanë shpenzuar dhjetëra mijëra euro edhe për udhëtime dhe mëditje brenda e jashtë vendit. Janë 41 mijë e 452 euro që i kanë shpenzuar në total për këto kategori. 
Më së shumti janë shpenzuar për akomodim për udhëtime zyrtare jashtë vendit 17 mijë e 39 euro dhe në një kod tjetër “akomodimi” 13 mijë e 500 euro. 
Pastaj për shpenzime të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit 5 mijë e 613 euro dhe shpenzime tjera të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit 4 mijë e 610 euro. Komunarët i kanë harxhuar edhe 688 euro për mëditje të udhëtimeve zyrtare brenda vendit. 
Edhe në këto kategori nuk përshhen shpenzimet e kujdesit primar shëndetësor dhe as të shërbimit social. 
Siç shihet në raport, Komuna e Fushë-Kosovës i ka harxhur gjatë vitit të kaluar edhe 26 mijë e 219 euro për dreka zyrtare dhe 1 mijë e 392 euro për dreka zyrtare jashtë vendit. 
As këtu nuk përfshihen shpenzimet e kujdesit primar shëndetësor dhe as shërbimit social.