Arbëri

Gazeta e njohur gjermane: BE-ja në Ballkan është vetëm tigër prej letre

Një studim i ri tregon se procesi për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE është shndërruar në – hajgare!

Në një analizë të Iniciativës Europiane për Stabilitet (ESI), një organizatë joqeveritare me seli në Berlin, theksohet se bazuar në të dhënat dhe vlerësimet e vetë BE-së ideja e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit është shndërruar në një lojë frazash pa asnjë efekt.

Ndërsa negociatat me Letoninë, Lituaninë dhe Sllovakinë kanë zgjatur 34 muaj, me Estoninë, Poloninë dhe Slloveninë 56 muaj, me Rumaninë dhe Bullgarinë 58 muaj dhe me Kroacinë 68 muaj, me disa vende të Ballkanit (si për shembull me Malin e Zi) është duke u negociuar qe 120 muaj. Ky vend ka arritur të mbyllë vetëm 3 kapituj. Serbia është duke negociuar qe 101 muaj, shkruan gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në një interpretim të analizës së Iniciativës Evropiane për Stabilitet.

Nëse procesi shkon me këtë ritëm, atëherë 35 kapitujt që duhet të negociohen me BE-në do të zgjasin një jetë njeriu. Procesi i anëtarësimit në shumë aspekte e ka humbur kuptimin, ky është përfundimi i Iniciativës Evropiane për Stabilitet. Shqipëria është vend kandidat që nga viti 2014, por ende nuk ka filluar negociatat. Në raportet e progresit të BE-së Shqipëria sa i përket sundimit të ligjit dhe pavarësisë së drejtësisë qëndron më mirë se Serbia, e cila prej vitesh negocion me BE-në.

Maqedonia e Veriut po ashtu nuk ka filluar negociatat me BE-në, por sipas Komisionit të BE-së, ajo qëndron ngjashëm mirë ose më mirë se Mali i Zi në 23 prej 33 kapitujve. Mali i Zi dhe Serbia kanë hapur kapitujt qendror mbi drejtësinë dhe të drejtat themelore, por Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, që s’ia kanë nisur fare negociatave, sa i përket plotësimit të kritereve qëndrojnë po aq mirë sa Mali i Zi dhe më mirë se Serbia.

ESI thekson se hapja e kapitujve nuk ndryshon asgjë. “Asgjë nuk ndryshon me të vërtetë në negociata pasi të hapet një kapitull. S’ka më shumë para. S’ka më shumë vëmendje. S’ka aktivitete shtesë. Hapja e kapitujve nuk është shpërblim. Hapja e kapitujve nuk është joshje apo sinjal për të tjerët. Hapja e kapitujve nuk i bën më realiste përparimet në të ardhmen”.

Analiza e ESI është brutalisht realiste. BE në Ballkan është shndërruar në tigër prej letre. Perspektiva evropiane është një frazë absurde. Premtimi i bërë nga BE më 2003 në Selanik se të gjitha vendet e Ballkanit kanë perspektivë anëtarësimi në BE, është vetëm një fusnotë nga historia e afërt, por pa asnjë përmbajtje. Që procesi faktikisht i vdekur i integrimeve evropiane të gjallërohet, ESI propozon që BE t’u ofrojë diçka kuptimplotë vendeve të Ballkanit. Anëtarësimi nuk është i mundur për aq kohë sa vlen parimi se të gjitha vendet duhet të pajtohen për çdo hap. Se kjo nuk funksionon është parë në rastin e Maqedonisë së Veriut. Ky vend sapo ndërroi emrin dhe hoqi qafe presionin shumëvjeçar grek, u ballafaqua me presion nga Bullgaria, e cila procesin e integrimeve evropiane e keqpërdorë për debate historike dhe përpjekje për të mohuar gjuhën maqedonase.