Njohësi i politikave të jashtme, Besar Gërgi, vlerëson se lufta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës mund të shkojë drejt një lloj armëpushimi, por pa arritur në një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse.
Sipas Gërgit, situata aktuale është paradoksale, pasi lufta ka zgjatur më shumë se Lufta e Dytë Botërore, ndërkohë që Rusia, ndryshe nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1945, nuk ka arritur ta dominojë ushtarakisht Ukrainën.
“Atëherë Bashkimi Sovjetik e kishte mposhtur Gjermaninë naziste, ndërsa tani Rusia nuk po mund ta mposhtë Ukrainën”, u shpreh ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai theksoi se arritja e një marrëveshjeje politike është pothuajse e pamundur për shkak të pozicioneve diametralisht të kundërta të palëve.
“Rusia i ka aneksuar katër rajone në Ukrainë dhe nuk mund të pranojë asnjë marrëveshje që nuk e legjitimon këtë veprim. Ndërkaq, Ukraina nuk mund ta pranojë apo legjitimojë asnjë prani të ushtrisë ruse në territorin e saj”, ka thënë Gërgi.
Në këtë kontekst, ai vlerëson se skenari më realist është një armëpushim i përkohshëm, edhe pse edhe ky mbetet problematik, sidomos për Moskën. Sipas tij, Rusia e konsideron veten se është duke e fituar luftën, edhe pse me ritëm shumë të ngadaltë, dhe një armëpushim do të shihej si rrezik strategjik.
“Rusia frikësohet se në rast të armëpushimit mund të ketë dislokim të trupave perëndimore në Ukrainë, por edhe se Ukraina mund të marrë kohë për t’u riorganizuar dhe për t’u përgatitur për faza të reja të luftës”, theksoi ai.
Gërgi shtoi se aktualisht po zhvillohet një lojë diplomatike se kush do të mbajë përgjegjësinë për dështimin e mundshëm të negociatave. Sipas tij, Rusia po përpiqet ta menaxhojë këtë proces përmes gjesteve simbolike për të krijuar përshtypjen e mirëbesimit ndaj SHBA-së.
“Këto gjeste janë parë në Abu Dhabi, por edhe nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili ndaloi sulmet për tri ditë, duke tentuar të dërgojë sinjale politike”, përfundoi Gërgi.
Këtë muaj bëhen plot katër vjet prej që ka nisur lufta Rusi – Ukrainë. Edhe pse presidenti amerikan Donald Trump pati premtuar se do ta ndalte luftën sapo të vinte në pushtet, një gjë e tillë s’ka ndodhur dhe duket se momentalisht është larg, pavarësisht se po zhvillohen përpjekjet më intensive në këto katër vjet.