Maturantët e Komunës së Gjilanit kanë organizuar një peticion për t’iu kundërvënë vendimit të autoriteteve lokale që ndalon ekskursionet jashtë shtetit. Në Komunë arsyetuan vendimin duke thënë se në vizitat e këtilla po përdoren substancat narkotike e po zhvillohen dukuri negative
Komuna e Gjilanit ka ndaluar organizimin e ekskursioneve jashtë shtetit për maturantët. E, nxënësit e klasave të 12-ta janë kundërvënë duke mbledhur nënshkrimet e prindërve me të cilat kundërshtohet vendimi.
“Më shumë se gjysma e prindërve e të gjithë nxënësve maturantë kanë votuar për po. Peticioni është shpërndarë në të gjitha klasat e dymbëdhjetave të të gjitha shkollave ku pra prindërit kanë votuar kundër vendimit të kryetarit Alban Hyseni”, ka thënë maturantja Klarisa Aliu.
E, kryetari i Këshillit të nxënësve të Gjilanit, Art Shkodra, tha se Komuna po ua mohon një të drejtë ligjore maturantëve.
“Në qoftë se ka mungesë të organizimit të mirë, nuk duhet ta pësojnë nxënësit, por duhet të vetorganizohen drejtoria dhe Komuna për një organizim më të mirë dhe jo të bëhet anulimi dhe vetëm Komuna e Gjilanit të mos jetë pjesëmarrëse në ekskursion kur në bazë të ligjit lejohet”, ka thënë Shkodra.
Ministria e Arsimit ka nxjerrë një udhëzim administrativ për aktivitete jashtëshkollore, por në të nuk trajtohet çështja e ekskursioneve jashtë shtetit.
Në Komunë dhanë arsyet për ndalimin e ekskursioneve.
“Në një takim të kryetarit me Këshillin e Prindërve, në bashkërendim të plotë me ta, kemi marrë vendim për ndalimin e ekskursioneve jashtë shtetit. Substancat narkotike, pijet alkoolike, lëndimet e rastet e ndryshme si dukuri negative, si dhe shpenzimet e mëdha familjare ishin disa nga arsyet e konkluzionet e përbashkëta në mes të kryetarit dhe Këshillit të Prindërve. Do të shohim alternativat e aktiviteteve të tjera edukative e kulturore, në të mirë për të gjithë maturantët tanë!”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Komunës.
E, opozita në këtë komunë akuzoi autoritetet lokale për paaftësi për ta menaxhuar organizimin e ekskursioneve.
“Kjo është paaftësi pasi ata nuk duan me marrë mbi vete kurrfarë përgjegjësie. Ata pikërisht dëshirojnë t’i ikin përgjegjësisë. Nëse ata kanë menduar që në të kaluarën ka pasur shkelje, ka pasur ndonjë parregullsi, atëherë merreni ju dhe organizojeni në një mënyrë pak më të mirë dhe më të drejtë”, ka thënë Afërdita Balaj, asambliste e LDK-së.
Për ta trajtuar çështjen, për të enjten është thirrur mbledhje e Kuvendit Komunal, por e cila dështoi, meqë nuk punuan kamerat për incizimin e seancës.