Një kontest pronësor i nisur në vitin 1978 në Rahovec, ende nuk ka marrë epilog përfundimtar në gjykatat e rregullta. Kushtetuesja ka konstatuar se me këtë zvarritje iu shkelën të drejtat qytetarit, që bëri padinë. Vetëm gjatë këtij viti, Kushtetuesja ka nxjerrë 12 vendime të këtilla, në të cilat konstatohen shkeljet e bëra nga gjykatat
Vetëm brenda këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka publikuar 12 aktvendime, në të cilat ka konstatuar se gjykatat e rregullta ua kanë shkelur të drejtat qytetarëve, duke mos u dhënë kontesteve epilog në kohë të arsyeshme.
Përfundimin e fundit për shkelje të këtillë, e ka nxjerrë të premten. Kushtetuesja ka konstatuar se Dega në Rahovec e Gjykatës Themelore të Gjakovës, e ka zvarritur një proces gjyqësor për më shumë se 40 vjet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKorab Bokshi, avokat i parashtruesit Muhamet Morina, ka thënë se rasti ndërlidhet me një kontest civil, për vërtetimin e të drejtës së pronësisë mbi ngastrat kadastrale kundër disa personave të paditur.
“Rasti i Muhamet Morinës, është mbi 40 vjet pothuajse 50. Pra është ushtruar padi në vitin 1978. Në atë rast kërkesa e paditësit (Muhamet Morinës) ka qenë vërtetimi i pronësisë dhe lirimi i pronës së paluajtshme. Gjykata Kushtetuese në këtë rast, me të drejtë ka konstatuar se ka pasur shkelje të gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, që ndërlidhet me gjykimin në afat të arsyeshëm”, ka thënë Bokshi, avokat i parashtruesit Morina.
Avokati Bokshi ka thënë se, pavarësisht kërkesave që i janë shtruar gjykatës, ajo e ka zvarritur procesin gjyqësor, për arsye të ndryshme.
“Kemi parashtruar kërkesa për vazhdimin e procedurës, por që Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec e ka refuzuar kërkesën, për shkak se ka thënë se nuk janë plotësuar kushtet. Gjykata Kushtetuese nuk ka menduar në një formë të tillë, për shkak se Gjykata dhe institucionet shtetërore kanë mekanizma për t’i siguruar palët në procedurë, për t’i dëshmuar dëshmitë e vdekjes e të tjera”, ka deklaruar avokati Bokshi.
Përgjatë vitit janë gjithsej 12 aktvendime të Kushtetueses, në të cilat është theksuar se gjykatat e rregullta ua kanë shkelur të drejtat qytetarëve, duke mos marrë vendime në kohë të arsyeshme.
Avokati Faton Fetahu ka vlerësuar se gjykatat e rregullta i zbatojnë vendimet e Kushtetueses, por ka shprehur brengën që veprimi kufizohet vetëm në çështje të gjykuar.
“Zbatim vlen vetëm për rastin konkret që është parashtruar në gjykatë, dhe jo se kjo përbën një mësim që me seriozitetin dhe efektivitetin e nevojshëm, gjykatat t’i trajtojnë apo t’i shtrojnë rastet e tjera që i kanë para vetes”, ka thënë Fetahu.
Neni 31 i Kushtetutës thotë se çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm.