Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sadiku: Presim që me Osmanin të kemi rritje së paku 10%

Ermal Sadiku

Ermal Sadiku, kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se pritjet nga kjo parti janë të mëdha me përfshirjen e ish-presidentes Vjosa Osmani në listë. 

Sadiku në “Konfront” të KTV-së ka thënë se pret që LDK-ja në zgjedhjet e 7 qershorit të rritet së paku 10% për dallim nga zgjedhjet e kaluara. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit LDK-ja doli e treta me 13.24 për qind. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nëse ajo do të shkaktojë rritje, aq sa presim, minimum 10%, atëherë vërtetë duhet me thënë se nuk kemi ditur me transmetuar mirë mesazhin dhe znj. Osmani po di ta bëjë këtë. Duhet me kuptu edhe ne si politikanë këtë punë, duhet të jemi më pak arrogantë e sa më pak cinikë dhe të kuptojmë që qytetari po do përfaqësim ashtu si po do dhe t’i duhet të dish me sqaruar rrugën tënde dhe vizionin tënd për këtë shtet”, ka thënë Sadiku. 

 


Muhaxhiri: Osmani do t’i sjellë vota LDK-së, por edhe çarje të brendshme

Analisti politik Artan Muhaxhiri ka vlerësuar se përfshirja e ish-presidentes Vjosa Osmani në mbështetje të Lidhja Demokratike e Kosovës mund t’i sjellë kësaj partie më shumë vota, por njëkohësisht edhe probleme të brendshme.

Sipas Muhaxhirit, Osmani ka ndërtuar prej vitesh një profil politik populist dhe me gjuhë më të ashpër krahasuar me pjesën tjetër të LDK-së.

“E njohim Osmanin qe dy dekada, gjithmonë ka qenë populiste, e ka pasur një diskurs më të ashpër sesa pjesë tjetër e LDK-së, kjo i ka sjellë vota, kjo i ka sjellë pushtet. Vjosa Osmani nuk di ndryshe”, ka deklaruar ai në “Konfront” të KTV-së.

Muhaxhiri ka thënë se lidhja politike mes Osmanit dhe LDK-së i ka konvenuar të dyja palëve.

“LDK-ja ka qenë dera e vetme për Osmanin, dhe anasjelltas”, u shpreh ai.

Megjithatë, analisti paralajmëroi se pas suksesit eventual elektoral mund të shfaqen tensione të brendshme në parti.

“Kjo gjuhë do t’i sjellë sukses por pastaj do të vijnë problemet. Osmani do të ndjehet si hisedare në suksesin e LDK-së, pastaj për vendimmarrje do të pyetet edhe ajo. Pastaj do të kemi çarje të brendshme me grupin e vjetër. Ata do të ndihen të anashkaluar”, deklaroi Muhaxhiri.


Muhaxhiri: Kjo është fija e fundit e kashtës që Abdixhiku të projektohet si lider i LDK-së

Analisti Artan Muhaxhiri ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës shpreson se me Vjosa Osmanin në listë do ta rrisë përqindjen e partisë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas tij, Osmani si një prej figurave më të popullarizuara politike në vend mund t’i japë LDK-së një rezultat më të mirë në zgjedhje.

Muhaxhiri ka theksuar se zgjedhjet e qershorit do të jenë përcaktuese për të ardhmen politike të Lumir Abdixhikut si kryetar i LDK-së.

“Osmani është politikane jashtëzakonisht e popullarizuar, ka imazh pozitiv dhe në sondazhe ka dalë e para apo e dyta. E ka një sasi të votave që e ka dërguar më 2021 në VV. Ekziston një pritshmëri që Osmani ta rrisë në mënyrë të dukshme përqindjen e LDK-së. Nëse rritet 8%-10% do të jetë rritje e jashtëzakonshme dhe do t’i faturohet Osmanit dhe Abdixhikut. Kjo është fija e fundit e kashtës ku Adixhiku mund ta projektojë veten si lider i LDK-së sepse edhe në një palë zgjedhje ka rezultat të dobët, nuk ka çfarë kërkon”, ka theksuar Muhaxhiri.


Gojnovci për listën e deputetëve të LDK-së: Ndëshkim i radhës për Hykmete Bajramin

Mospërfshirjen e Hykmete Bajramit në dhjetëshen e parë të listës së kandidatëve për deputet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, analisti Ejup Gojnovci, e ka quajtur një ndëshkim të radhës për Bajramin.

Gojnovci në emisionin “Konfront” në KTV, ka theksuar se ndëshkimi fillimisht u vërejt kur ajo nuk u zgjodh shefe e grupit parlamentar edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit, por u zëvendësua me Jehona Lushaku-Sadriun.

Gojnovci është shprehur se kjo tregon edhe që nuk ka demokraci brenda LDK-së.

“Që numrat kanë rëndësi kjo është evidente sepse përndryshe Osmani do të renditej atëherë në numrin 50-të. Secili shikon të pozicionohet në 10-shen e parë. Ky është një lloj ndëshkimi i radhës për Bajramin, sepse pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025, ajo konsiderohej shefja e grupit parlamentar dhe më pastaj ajo u zëvendësua pas zgjedhjeve të dhjetorit. Kjo është për shkak se në LDK nuk ka demokraci të nivelit të atillë ku pakënaqësia në vend se të stimulohet merr ndëshkim”, ka thënë Gojnovci.

Hykmete Bajrami do të garojë me numrin 12 në listën e LDK-së në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Pas kësaj ka reaguar Bajrami duke thënë se kjo iu kumtua nga zyra e LDK-së dhe se ajo është renditur pas atyre që deri dje e kanë luftuar LDK-në.

Me këtë parti në këto zgjedhje do të garojë ish-presidentja Vjosa Osmani me listën e saj.

Bajrami dhe disa figura të tjera të LDK-së, nuk u panë në organizimin i cili u quajt “tubimi i bashkimit” e ku u zyrtarizua kandidimi i përbashkët i kësaj partie me Vjosa Osmanin.

Sadiku: As në Kosovë e as në Ballkan s’ka parti më demokratike se LDK-ja

Ermal Sadiku, kandidat i LDK-së për deputet, e ka quajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës partinë më demokratike në vend. 

Ai ka thënë se kritikat ndaj partisë e bëjnë LDK-në vetëm më të fortë. 

“LDK-ja është partia më demokratike në Kosovë, jo vetëm, edhe në Ballkan nuk ka parti të tillë ku demokracia funksionon, ku liderët ndërrohen, ku secili e ka një mendim të vetin që nuk frikësohet ta japë. Meqë ne shumë njerëz po na sulmojnë pozita, opozita, njerëz në rrjete sociale, kjo tregon vetëm rëndësinë që e ka LDK-ja”, ka thënë Sadiku.