Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë opinion të kualifikuar Komunës së Graçanicës, pasi nuk ka bërë prezantim të saktë të pasurive dhe detyrimeve kontingjente dhe ka paraqitur jo drejt llogaritë e arkëtuara në vlerë prej 2 milionë e 422 mijë e 642 eurosh
Opinion të kualifikuar i ka dhënë Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) Komunës së Graçanicës për vitin 2022. Në raportin vjetor të ZKA-së për këtë komunë thuhet se bazë për këtë opinion është prezantimi jo i saktë i detyrimeve kontingjente në Raportin Vjetor Financiar (neni 18) për 865,542 euro; Prezantim jo i saktë i pasurive në PFV për shkak të nënvlerësimit për 85,098 euro, si dhe mbivlerësimit për 53,237 euro, duke bërë që vlera e pasurive kapitale dhe jokapitale të mos jetë e shpalosur saktë në PFV; Llogaritë e arkëtuara të prezantuar në nenin 16 të Raportit Vjetor Financiar (PFV) ishin të nënvlerësuara për 1,418,765 euro.
“Në rastin e lëndës gjyqësore me nr. të referencës C.nr. 1916/10, Komuna kishte prezantuar në listën e detyrimeve kontingjente vlerën prej 2,877,620 euro, ndërsa sipas ekspertizës financiare pretendimet e palës paditëse janë 2,184,823 euro. Pra, me këtë komuna kishte bërë prezantim jo të saktë të kësaj lënde për 692,797 tek detyrimet kontingjente”, thekson Auditori.
Sipas të njëjtit, te lënda gjyqësore me nr. 452/16 për kompensim të pagave në vlerë prej 821,980 eurosh, Komuna kishte prezantuar në listën e detyrimeve kontingjente vlerën prej 994.725 euro. Derisa, sipas ekspertizës të palës paditëse të prezantuar në gjykatë ka rezultuar se vlera e pretenduar është vlerësuar në 821,980euro.
“Pra, me këtë komuna kishte mbivlerësuar detyrimin kontingjent në vlerë prej 172,745 euro.
Paraqitja e detyrimeve kontingjente në vlera jo të sakta ka rrjedhur si rezultat i mungesës së vëmendjes të zyrtarit i cili mban evidencat lidhur me detyrimet kontingjente, si dhe nga pamjaftueshmëria e kontrollit të brendshëm nga zyrtari kryesor financiar për t'i verifikuar vlerat gjatë prezantimit të detyrimeve kontingjente në RVF”.
Bazuar në raportin e ZKA-së, në tri raste, komuna kishte mbivlerësuar regjistrin e pasurisë komunale dhe atë si më poshtë: Regjistri i pasurisë mbi 1,000 euro ishte mbivlerësuar për 49,803 euro, sepse një pagesë ishte regjistruar dy herë; Regjistri i pasurisë nën 1,000euro ishte mbivlerësuar për 3,434 euro, për shkak të mosregjistrimit të saktë të blerjeve.
“Në gjashtë (6) raste tjera komuna kishte nënvlerësuar regjistrin e pasurisë komunale duke regjistruar gabim pasurinë nën 1,000 euro në sistemin e e-pasurisë dhe atë vlerë prej 31,861 euro. Gjithsej vlera e pasurisë së regjistruar gabim apo të paregjistruar ishte 85,098 euro. Moszbatimi i duhur i kontrolleve dhe neglizhenca janë shkaktarët lidhur me mungesën regjistrimit jo të plotë të pasurisë jofinanciare”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare e Auditimit.
Tutje në raport thuhet se Komuna në PVF kishte prezantuar llogaritë e arkëtuara nga taksat për ushtrimin e veprimtarisë, vetëm të vitit 2022, në vlerë 222,820 euro, duke mos i prezantuar të përmbledhura edhe vlerat e paarkëtuara nga vitet e mëhershme, të cilat në shumë totale, sipas Auditorit, përfshirë edhe vitin 2022, do të duhej të raportoheshin 1,641,635 euro.
“Nga kjo rezulton se LI.A janë të nënvlerësuara për 1,418,765 euro. Dobësitë e identifikuara për LI.A janë për shkak të kontrolleve të brendshme joefikase në menaxhimin dhe harmonizimin e vlerave nga regjistrat, përkatësisht shpalosjen e tyre në PVF”.
Në raportin e ZKA-së thuhet se menaxhmenti i Komunës është pajtuar për të tri gjetjet e tij.