Arbëri

Graçanica vonon pagesën e faturave dhe lejeve ndërtimore

Komunarët e Graçanicës kishin vonuar pagesën e një fature deri në 98 ditë nga dita e pranimit, që është në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.

Sipas këtij Ligji, secila faturë e vlefshme duhet të paguhet brenda 30 ditëve kalendarike, pas pranimit të saj.

“Fatura e pranuar nga Departamenti i Shëndetësisë për kontratën furnizim me material shpenzues, vlera e pagesës 10,000€, komuna kishte vonuar ekzekutimin e pagesës dhe atë deri 98 ditë nga data e pranimit të faturës. Shkak i mospagesӕs me kohë të detyrimeve është planifikim jo i mirë i buxhetit dhe inicimi i procedurave të shpenzimeve pa mjete në dispozicion”, thuhet në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit për këtë komunë.

Bazuar në këtë raport, detyrimet e bartura rrisin rrezikun në mosrealizimin e projekteve dhe në mosarritjen objektivave të komunës.

“Njëherit kjo ndikon edhe në kosto shtesë në rast të padive nga furnitorët. Kryetarja duhet të forcojë nivelet e kontrolleve me qëllim që të sigurohet se pagesat kryhen brenda afatit të rregullt ligjor prej 30 ditësh”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, Komuna e Graçanicës ka vonuar edhe lëshimin e lejeve ndërtimore.

“Neni 21 paragrafi 3i Ligjit Nr. 04/L-110 për ndërtim parasheh se ‘nëse kushtet e parapara me këtë ligj janë përmbushur dhe nëse aplikuesi ka paraqitur dëshmi për pagesën e taksës së lejes ndërtimore, organi kompetent brenda tridhjetë (30) ditësh për kategorinë I dhe brenda dyzet e pesë (45) ditëve për kategoritë II dhe III e lëshon lejen ndërtimore duke llogaritur nga data e paraqitjes së kërkesës. Nëse organi kompetent nuk e ka informuar aplikuesin për vendimin e tij brenda afatit të përcaktuar, do të konsiderohet se leja është lëshuar. Në rastin e tillë, organi kompetent e lëshon lejen ndërtimore”, thekson raporti i Auditorit. “Komuna nuk kishte shqyrtuar lëshimin e lejeve ndërtimore brenda afatit të paraparë ligjor, sepse në një (1) rast lëshimi i lejës ishte bërë me vonesë deri në tetë muaj. Kjo ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së Drejtorisë së Urbanizmit për ta lëshuar lejen ndërtimore ashtu siç është e paraparë me ligj”.

Zyra Kombëtare e Auditimit thekson se vonesa në dhënien e lejeve ndërtimore ndikon në inkasimin e të hyrës vetjake, derisa në anën tjetër aplikuesi sipas ligjit përkatës mund të fillojë me aktivitetin ndërtimor pa leje, duke e konsideruar si të drejtë.

KOHA ka dërguar pyetje në adresë të Komunës së Graçanicës rreth këtyre gjetjeve të ZKA-së, por gjatë ditës nuk ka pranuar përgjigje. Ndërkohë, në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit shkruan se menaxhmeti i komunës është pajtuar për të dy gjetjet.