Arbëri

Gruda: Propozimi është i paligjshëm, dënimi më i lartë i Speciales është 25 vjet burgim

Perparim Gruda

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se propozimi i Prokurorisë së Speciales, prej 45 vjetëve burgim për secilin nga katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është i paligjshëm dhe sipas tij kjo u bë për shkak se nuk kishte prova. Siç theksoi Gruda, dënimi më i lartë që mund të shqiptohet është 25 vjet burgim, sikurse që iu shqiptua Salih Mustafës në shkallën e parë.

Në emisionin “Interaktiv” në KTV, Gruda ka thënë se ky propozim është bërë për të zhvendosur barrën e ligjshmërisë te trupi gjykues.

“Jurisprudenca e Dhomës Supreme të Gjykatës Speciale në Hagë në rastin e Salih Mustafës ka përcaktuar se shkalla maksimale e dënimeve në këto raste mund të jetë 25 vjet. Kodi ynë penal që po ashtu zbatohet nga Gjykata Speciale në Hagë parashikon maksimumin e dënimit prej 35 viteve burg. Në rastin e Hagës është 25 vjet maksimumi, prandaj është propozim i paligjshëm. Unë mendoj se kjo po ndodhë për shkak se nuk ka prova. Kjo është bërë për ta zhvendosur barrën e ligjshmërisë te Gjykata sepse nuk e besoj që prokurorët nuk e dijnë që ky propozim është i paligjshëm”, ka thënë Gruda.

Gruda është shprehur i bindur që trupi gjykues do ta rrëzojë këtë propozim dhe si të tillë nga Prokuroria Speciale e Hagës e ka quajtur si lojë politike për ta vendosur në lajthitje gjykatën. Ai ka thënë se nën cilësinë e juristit propozimi i jep optimizëm që trupi gjykues do e rrëzojë në shkallë të parë.

“Nuk mund të besoj që në zemër të Evropës, në një vend si Holanda, mund të ketë një trup gjykues me gjithë defektet që ulet dhe e pranon atë aktakuzë që është totalisht i paligjshëm. Unë nuk besoj se kjo kalon as në shkallë të parë sepse bie ndesh me vet jurisprudencën”, ka deklaruar Gruda.

Gruda i PDK-së ka thënë se optimizmi i tij se do të lirohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi bazohet edhe në atë që dënimi i tyre do të ishte argument i fortë në duart e Rusisë e këtë argument sipas Grudës, Perëndimi nuk ia jep, sepse Rusia veçse e përdorë gjithmonë si pretekst Kosovën që kur e filloi luftën në Ukrainë.

“Rusia nuk e ka forcën që e ka pasur në Perëndim kur është bërë raporti i Dick Martyt. Argumenti themelor që kur ka ndërhyrë në Ukrainë i Rusisë është Kosova. NATO-s dhe Perëndimit i thonë ju keni ndërhyrë në Serbi për ta bërë Kosovën e pavarur, ne kemi të drejtë të ndërhyjmë në Ukrainë. Dënimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve do të ishte një argument shumë i fortë në duart e rusëve. Mendoj që këtë argument Perëndimi nuk ia jep Rusisë”, ka thënë Gruda në “Interaktiv” në KTV.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, në fillim të shpalosjes së fjalës përfundimtare të hënën, ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin nga katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Gruda: E votoj këdo të familjes Jashari për president

1 o. më parë / 9 shk 2026 23:55
Perparim Gruda

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Përparim Gruda, i pyetur për qëndrimin e kësaj partie në raport me çështjen e presidentit, ka thënë se ai personalisht e voton këdo të familjes Jashari në rast se kandidohet në këtë pozitë.

Gruda në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka thënë se një gjë e tillë nuk vlen edhe për Vjosa Osmanin e cila e ka bërë të ditur kandidaturën e saj për një mandat të dytë si presidente. Gruda ka theksuar se Osmani nuk do të ketë votë bllanko nga PDK-ja pa një diskutim paraprakisht.

“Unë e jap votën për këdo të familjes Jashari. Përballë asaj familje nuk bëjë politikë, unë e jap votën për familjen Jashari. Nuk mund ta them të njëjtën për Vjosa Osmanin. Ajo mund të bëhet sërish presidente por nuk do të ketë votë bllanko për të pa një diskutim me Partinë Demokratike të Kosovës, pa u bindur PDK-ja që ka një proces politik ku kërkesat e saj shtyhen, nuk e jep votën”, ka thënë Gruda.

Ndërkohë kanë mbetur më pak se një muaj deri në afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës dhe afro dy muaj deri te përfundimi i mandatit të presidentes Vjosa Osmani, por deri më tani nuk ka pasur bisedime konkrete ndërmjet subjekteve politike për këtë çështje.

Edhe pse dështimi për zgjedhjen e presidentit brenda afatit do të çonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka cilësuar veprimet në këtë drejtim si urgjente.

LVV-ja, e cila ka 57 deputetë në Kuvend, thekson se aktualisht ka tri prioritete të tjera: konstituimin e Kuvendit, votimin e Qeverisë dhe miratimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë planin e rritjes së BE-së dhe marrëveshjet me Bankën Botërore. Sipas këtij subjekti, çështja e presidentit do të trajtohet më pas, brenda afateve kushtetuese.