Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që të mos humbet kohë dhe që në afatin e parë kushtetues të shpallen zgjedhjet parlamentare.
“Presidentja ka deri më 5 nëntor afat, besoj më 5 nëntor do ta marrim lajmin për shpërndarjen e Parlamentit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve dhe interes do ishte sa më shpejt, në 30 ditë. Data 7 dhjetor do të ishte opsion me ia kursy Kosovës, mos me shku në 40 ditë. Qëndrimi i AAK-së ishte që ne nuk dëshirojmë t’i humbim kohë vendit, në afatin e parë kushtetues të mbahen zgjedhjet parlamentare”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka kërkuar kohë deri më 5 nëntor, prandaj edhe zgjedhjet sipas afatit kushtetues mund të mbahen më 7 ose 14 dhjetor.
“Nuk është arritë një marrëveshje për shumicë nga opozita. Kjo na ka pamundësuar që t’u kërkojmë ndihmë edhe komuniteteve. I ftoj për mirëkuptim të gjithë që në afatin e parë kohor pas zgjedhjeve të ardhshme të reflektojmë dhe të veprojmë për krijimin e qeverisë. Nëse Kurti nuk do kërkonte edhe disa ditë deri më 5 nëntor, presidentja do të mund sot të merrte vendim dhe do ishte i mundur 1 dhjetori. Por meqë po vonohet deri më 5, data e parë e mundshme është 7 dhjetor, data e dytë do jetë 14”.
 
                                                                                    