Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se gjendja me energjinë në vend ka kolapsuar si pasojë e politikave të qëllimshme të qeverisë në detyrë.
“Sot, Kosova flen mbi thëngjill, por nuk ka energji. Aktualisht, të gjitha njësitë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) janë jashtë funksionit, prodhimi është zero. Kjo nuk është rastësi – është një kolaps i planifikuar, i diktuar nga direktiva politike dhe i ndikuar nga pazaret e mafisë energjetike që kontrollon tregtinë me rrymë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, pas paralajmërimit të KESCO-s se do të ketë mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike duke filluar nga nesër.
Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje, parti që ishte në pushtet për katër vjet, se ka bllokuar projekte strategjike për sigurinë energjetike të Kosovës më herët, përfshirë ndërtimin e Termocentralit Kosova C dhe refuzimin e projektit për gazsjellësin amerikan.
Sipas tij, këto vendime i kanë hapur rrugë abuzimeve dhe pasurimit të individëve të lidhur me pushtetin.
“Pushtetin po e heton Prokuroria dhe do të hetojë gjithçka, por një gjë është e qartë – ky është krim ndaj qytetarëve të Kosovës. Askush nuk duhet të shmangë përgjegjësinë para kryeministrit në detyrë”, ka shkruar tutje Haradinaj.
Pas paralajmërimit të KESCO-s, më vonë reagoi KEK-u, duke mohuar se ka kolaps prodhimi.