Intervistë

Hasani: Dy risi në aktgjykim, Kushtetuesja me shumë gjasë gaboi me afatin 30-ditor

“Dy janë risitë që nuk kanë ekzistuar në vitin 2014. E para, vendosja e një afati ditor brenda të cilit Kuvendi duhet të konstituohet. E dyta, domosdoshmëria për t’i respektuar praktikat parlamentare të deritanishme në procesin e konstituimit të Kuvendit”, ka thënë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në intervistë për KOHËN, pas publikimit të aktgjykimit lidhur me seancën konstituive të legjislaturës së nëntë

Konstatimi kryesor i Gjykatës Kushtetuese në aktgjykimin e publikuar të enjten lidhur me seancën konstituive të legjislaturës së nëntë është se verdikti i vitit 2014 mbetet në fuqi dhe se është përcaktues për mënyrën e konstituimit të Kuvendit, ka thënë Enver Hasani, i cili asokohe ka qenë kryetar i Kushtetueses.

Në një intervistë për KOHËN, Hasani i ka përmendur dy risitë e vendimit të së enjtes.

“E para, vendosja e një afati ditor brenda të cilit Kuvendi duhet të konstituohet. E dyta, domosdoshmëria për t’i respektuar praktikat parlamentare të deritanishme në procesin e konstituimit të Kuvendit. Në aspektin juridik çdo gjë është e qartë”, ka theksuar ai.

Sa i përket konstatimit se seanca konstituive e Kuvendit nuk është përmbyllur në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me Kushtetutën, Hasani ka theksuar se akgjykimi i ka sqaruar qartë rrethanat në të cilat mund të aplikohet votimi i fshehtë. Krahas dispozitave të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit, Gjykata e ka theksuar nevojën për respektimin edhe të praktikave parlamentare të konsoliduara në Kosovë.

Hasani ka thënë se këto praktika, në asnjë rast, nuk e kanë vënë në pikëpyetje mënyrën e votimit në fazën e konstituimit të Kuvendit.

“Kjo e nënkupton rikthimin në rrjedhën procedurale të përcaktuar më 8 prill 2025, në përputhje me standardin e vijueshmërisë institucionale - një parim i njohur dhe i zbatuar edhe në jurisprudencën e Gjykatave Kushtetuese të vendeve me traditë parlamentare, si Çekia, Gjermania, Spanja, Italia, si dhe në shtete të rajonit, si Sllovenia”, ka thënë ai.

Lidhur me afatin 30-ditor të përcaktuar në aktgjykim, Hasani ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese, me shumë gjasë, ka gabuar kur e ka barazuar këtë afat për thirrjen e seancës konstituive me atë për konstituimin e Kuvendit, pa i përcaktuar me saktësi pasojat juridike që rrjedhin nga mosrespektimi i tij.

Sipas Hasanit, çdo afat kushtetues apo ligjor prodhon pasojë juridike. Mungesa e një përcaktimi të qartë të këtyre pasojave nga Gjykata, siç ka thënë Hasani, e përbën një mangësi serioze metodologjike dhe profesionale, me pasoja për precedentët e ardhshëm.

Risitë e aktgjykimit

KOHA: Z. Hasani, Gjykata Kushtetuese e publikoi të enjten aktgjykimin lidhur me seancën konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, e cila duhet të përfundojë më së voni brenda 30 ditëve. Si duhet interpretuar kjo dhe çka thotë saktësisht aktgjykimi Gjykatës Kushtetuese?

Hasani: Ajo që ka konstatuar Gjykata Kushtetuese, me pak fjalë, është kjo: aktgjykimi i vitit 2014 i kësaj gjykate mbetet në fuqi dhe është përcaktues për mënyrën e konstituimit të Kuvendit, duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Rregulloren e Kuvendit dhe praktikat parlamentare. Dy janë risitë që nuk kanë ekzistuar në vitin 2014. E para, vendosja e një afati ditor brenda të cilit Kuvendi duhet të konstituohet. E dyta, domosdoshmëria për t’i respektuar praktikat parlamentare të deritanishme në procesin e konstituimit të Kuvendit. Në aspektin juridik çdo gjë është e qartë.

KOHA: Për çështjen e procedurës së votimit për kryetar të Kuvendit, Kushtetuesja ka konstatuar që seanca e nisur më 15 prill e vazhdimi i saj deri tash nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën. Partia fituese, së cilës i takon e drejta e propozimit të kandidatit, thotë se Kushtetuesja ia ka dhënë dritën e gjelbër propozimit që të kalohet në votim të fshehtë. Mbështetur në aktgjykim, a lejohet ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të procesit, pra, tash a duhet vazhduar me votim të fshehtë apo deputetët duhet të kthehen te votimi i hapur?

Hasani: Çdoherë ekziston mundësia për interpretim malicioz të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, përmbajtja dhe qëllimi i këtij aktgjykimi janë të qarta, njësoj siç ishte edhe aktgjykimi themelor i vitit 2014, mbi të cilin ky vendim mbështetet. Gjykata ka konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit nuk është përmbyllur në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me Kushtetutën. Ajo i ka sqaruar qartë rrethanat në të cilat mund të aplikohet votimi i fshehtë, duke iu referuar edhe përvojës krahasuese nga e drejta kushtetuese, dhe ka theksuar se forma e votimit duhet të jetë e përcaktuar qartësisht dhe paraprakisht në aktet përkatëse normative. Përveç dispozitave të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, Gjykata e ka theksuar nevojën për respektimin e praktikave parlamentare të konsoliduara në Kosovë. Këto praktika, në asnjë rast, nuk e kanë vënë në pikëpyetje mënyrën e votimit në fazën e konstituimit të Kuvendit. Kjo e nënkupton rikthimin në rrjedhën procedurale të përcaktuar më 8 prill 2025, në përputhje me standardin e vijueshmërisë institucionale - një parim i njohur dhe i zbatuar edhe në jurisprudencën e Gjykatave Kushtetuese të vendeve me traditë parlamentare, si Çekia, Gjermania, Spanja, Italia, si dhe në shtete të rajonit, si Sllovenia. Çdo devijim nga kjo qasje përbën shmangie nga rendi kushtetues dhe shkelje të parimeve themelore të funksionimit demokratik, duke rezultuar kësisoj në shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës.

Mungesa e pasojave juridike në aktgjykim, gabim

KOHA: Afati tridhjetëditor i përcaktuar në aktgjykim, a nënkupton se shkohet në zgjedhje nëse dështon konstituimi i Kuvendit?

Hasani: Shkelja eventuale e afatit 30-ditor në asnjë rrethanë nuk mund të prodhojë si pasojë shkuarjen në zgjedhje të reja. Kjo për një arsye të thjeshtë dhe themelore: Nuk mund të shpallen zgjedhje të reja pa u konstituuar më parë Kuvendi i ri, mbi bazën e rezultateve zgjedhore të 9 shkurtit 2025. Kaq e thjeshtë dhe e qartë është kjo çështje. Po të ndodhte ndryshe, Kosova do të hynte në Librin Guinness si rasti i parë në botë, ku mbajtja e zgjedhjeve të reja bëhet pa u konstituar Kuvendi i dalë nga zgjedhjet paraprake.

Gjykata Kushtetuese, me shumë gjasë, ka gabuar kur e ka barazuar afatin 30-ditor për thirrjen e seancës konstituive me afatin për konstituimin e Kuvendit, pa i përcaktuar me saktësi pasojat juridike që rrjedhin nga mosrespektimi i këtij afati. Çdo afat kushtetues apo ligjor prodhon pasojë juridike. Mungesa e një përcaktimi të qartë të këtyre pasojave nga Gjykata e përbën një mangësi serioze metodologjike dhe profesionale, me pasoja për precedentët e ardhshëm. E vetmja pasojë që Gjykata e ka theksuar qartë është ajo e shprehur edhe në aktgjykimin e vitit 2014: se dështimi për ta konstituuar Kuvendin nuk e çon vendin automatikisht në zgjedhje të reja.

KOHA: Sa i ka dhënë zgjidhje ngërçit aktual ky aktgjykim dhe përgjigje të plotë situatës, duke iu referuar edhe interpretimeve të ndryshme që po ia bëjnë partitë?

Hasani: Siç u theksua edhe më herët, interpretimet malicioze janë gjithmonë të mundshme. Megjithatë, në aspektin juridik, çështja është e qartë dhe e pastër - ashtu siç ka qenë edhe përpara këtij aktgjykimi. Nga asnjë interpretim i asnjë paragrafi të këtij aktgjykimi nuk mund të nxirret përfundimi se votimi i fshehtë lejohet gjatë konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Një konkluzion i tillë është i pamundur për këto tri arsye: E para, Kushtetuta e Kosovës nuk e parashikon një formë të tillë votimi për rastin konkret; e dyta, Rregullorja e Kuvendit, e cila i operacionalizon dispozitat kushtetuese në jetën parlamentare, nuk e përmban një normë të tillë; dhe, së fundi, praktika parlamentare në Kosovë, deri më sot, nuk e ka njohur kurrë një precedent të tillë dhe as nuk e ka shqyrtuar ndonjëherë këtë mundësi. Çdo pretendim në drejtim të kundërt është i pabazë në rendin kushtetues dhe e përfaqëson një devijim nga standardet e konsoliduara të funksionimit parlamentar në Kosovë. Këtë e thotë ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, asnjëherë ndryshe nuk mund të jetë, pos kështu siç e ka thënë qartë ky aktgjykim.

Mungesa e sqarimit në dispozitiv, mangësi serioze

KOHA: A konsideroni se ka lënë diçka pa e trajtuar kushtetuesja në aktgjykim e që do të duhej ta bënte, apo ky ka qenë maksimumi, mbështetur në fushëveprimin dhe autorizimet që i ka?

Hasani: Mendoj se në dispozitiv është dashur të thuhet qartë ajo që shprehet në pjesën arsyetuese nga paragrafi 130 e tutje: se konstituimi i Kuvendit të Kosovës duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Rregulloren e Kuvendit dhe praktikat parlamentare të deritanishme, krahas këtij aktgjykimi dhe aktgjykimit të vitit 2014, në mënyrë që çdo mbledhje e seancës konstituive të jetë kushtetuese. Mungesa e kësaj sqarese në dispozitiv e përbën një mangësi serioze, pasi ka lënë hapësirë për abuzim nga forcat politike, që aktualisht gëzojnë shumicën parlamentare. Duhet theksuar se ky është aktgjykimi i parë i Gjykatës Kushtetuese që, në pjesën operative (në dispozitiv), nuk e sqaron qartë se çfarë është në përputhje dhe çfarë nuk është në përputhje me Kushtetutën. Ky lëshim, për nga natyra dhe pesha e tij, mund të mbahet mend si një precedent i diskutueshëm në praktikën e Gjykatës. Megjithatë, ky lëshim nuk e bën aktgjykimin jooperacional. Siç e thashë edhe më herët, pjesa arsyetuese i jep pa asnjë ekuivok udhëzimet e qarta mbi rrugën që duhet ndjekur për konstituimin kushtetues të Kuvendit.