Arbëri

Hasani: Nëse ish-krerët e UÇK-së shpallen fajtorë për ndërmarrje të përbashkët kriminale, ligjërisht barazohen me Karaxhiqin

Enver Hasani

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se është i bindur që do të hidhet poshtë akuza “ndërmarrje e përbashkët kriminale” e cila rëndon mbi ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Sipas Hasanit, në rast se nuk bie poshtë si akuzë, atëherë ligjërisht, ata do të barazoheshin me kriminelin serb Radovan Karaxhiq.

“Ndërmarrja e përbashkët kriminale jam i bindur se do të bie si akuzë sepse nuk mund të qëndrojë. Shumë pjesë kanë qenë të koduara në seanca, ato që kanë qenë të hapura i kam përcjellë të gjitha pa përjashtim. Një pjesë e tyre janë për të qeshur, shihet se janë me motive të ulëta dhe personale. Jam optimist që kjo pjesë për ndërmarrje të përbashkët kriminale nuk mund të dëshmohet. Sepse ligjërisht do të barazoheshin me Karaxhiqin. Atë kuptim e ka ligjërisht. Me atë që Karaxhiqi ka bërë në territorin e Ish Jogusllavisë”, deklaroi Hasani.

Radovan Karaxhiqi, ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë (1992–1995), u akuzua nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi (ICTY) për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Në vitin 2016, ai u dënua me 40 vjet burgim, dhe më pas, në apel në vitin 2019, dënimi iu rrit në burgim të përjetshëm. Pjesëmarrja e tij në ndërmarrje të përbashkëta kriminale, ishte një nga elementët qendrorë të aktakuzës dhe dënimit.

Hasani në emisionin “Konfront” në KTV është shprehur se nuk mendon që ka qenë gabim themelimi i Gjykatës Speciale, pasi sipas tij ka qenë kërkesë e aleatëve të Kosovës për t’ia mbyllur gojën Rusisë.

Gjithashtu, ai thotë se ish-presidenti Hashim Thaçi u fut në lojë nga Edi Rama dhe kjo sipas tij i kushtoi.

“Edhe në skenarin më të keq nuk do të mund të mendohej se do të shkonte gjith kjo kohë për ta në paraburgim. Opinioni publik është fyer. Mbi dy faktorë është qetësuar dhe s’ka bërë rezistencë. Faktori i parë ka qenë trafikimi i organeve, ne kemi kulturë me i besu aleatëve dhe pak kush ka besu sepse ka thënë Dick Marty. Faktori i dytë ka qenë ai gabimi që i kushtoi Thaçit që ishte rreth kufijve që e futi në lojë Edi Rama. Nuk mendoj që Kosova ka gabuar që e themeloi Gjykatën Speciale. Ka qenë kërkesë e aleatëve që t’ia mbyllte gojën Rusisë”, deklaroi Hasani.

Procesi gjyqësor në Hagë është kundërshtuar me shumë protesta në Kosovë, Shqipëri e pranë qendrës së paraburgimit kur po qëndrojnë Thaçi dhe të tjerët.

Në këtë rast gjyqësor, Thaçi, ish-kryetarët e Kuvednit Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e publikuar në shkurt të 2023-tës, ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës së viteve 1998-1999. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.

Deri më tani janë dëgjuar disa dëshmitarë të mbrojtjes, i fundit do të jetë gjenerali amerikan që udhëhoqi forcat e NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër Serbisë në vitin 1999, Wesley Clark.

Wesley Clark pritet të dëshmojë se Thaçi nuk e kontrollonte guerilen.