Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala gjendet në Kosovë, sipas një njoftimi nga familjarët e tij.
“Mirë se erdhe në atdhe, babë!” ka shkruar i biri i Haxhiut, Flakron Shala në Facebook tek ka postuar një foto me ish-deputetin.
Shala është liruar me kusht kanë bërë të ditur nga Dhomat e Specializuara për KOHËN. Vendimi tashmë është publik edhe në faqe zyrtare të tyre.
Për lirimin e tij kanë reaguar edhe nga OVL e UÇK-së.
"Mirë se vjen, bashkëluftëtar! Të urojmë shëndet dhe gjitha të mirat në jetë pranë familjes dhe njerëzve të tu", thuhet në reagim.
Kushtet e lirimit të Shalës janë këto:
1) Të qëndrojë në vendbanimin e tij të përhershëm;
2) Ta njoftojë i Administratorja dhe stacionit të policisë të cekur nga Regjistruesi për ndryshim të vendbanimit të përhershëm, me kusht lejen e dhënë nga Presidenti;
3) Të paraqitet në stacionin policor të identifikuar nga Administrata;
4) T’i dorëzojë i pasaportave aktuale dhe të ardhshme ose dokumenteve të udhëtimit të Z. Shala te Aministrata;
5) Të qëndrojë në Kosovë dhe ta njoftojë Administratën për çdo synim për të udhëtuar jashtë Kosovës dhe ta kërkojë lejen nga kryetarja;
6) Ta shmangë nga çdo kontakt ose komunikim me dëshmitarë (të mundshëm) ose viktima para Dhomave të Specializuara dhe ZPS-së;
7) Të përmbahet nga çdo deklaratë publike të drejtpërdrejtë ose të tërthortë (vetë ose përmes të tjerëve) në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe ZPS-në;
8) Të marrë leje dhe miratim nga Administrata në rast të kryerjes së një interviste ose çdo kontakti tjetër me median siç parashikohet në Udhëzuesit Praktik për të Paraburgosurit, konkretisht mbi komunikimet me median;
9) T’i bindet çdo vendimi ose urdhri të Dhomave të Specializuara; dhe
10) Të mos bëjë komente negative, të dhunshme, frikësuese, kërcënuese ose shtrënguese ndaj ose rreth dëshmitarëve (të mundshëm) ose personave të tjerë që janë në rrezik për shkak të bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara, zyrtarët e Dhomave të Specializuara ose Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Shala ishte dënuar nga Gjykata Speciale me tri vjet burgim në shkurt të vitit 2025, për frikësimin e një dëshmitari. Shala pati pranuar fajësinë. Shala ishte arrestuar më 11 dhjetor 2023 dhe një ditë më pas ishte transferuar në qendrën e paraburgimit në Hagë. Kjo periudhë iu llogarit në periudhën e vuajtjes së dënimit.
Sipas marrëveshjeve të fajësisë, Shala bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kanë kontaktuar një dëshmitar dhe i kishin shkuar në vizitë duke i ofruar benefite në këmbim të tërheqjes së dëshmisë së tij.
Sipas Prokurorisë, vepra në grup u krye nën direktivën e Shalës.