Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu: Dënimi për vrasjen e Liridona Ademajt, mesazh i qartë se krimet nuk mbeten pa ndëshkim

Albulena Haxhiu

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit për dënimin me burgim të përjetshëm të përgjegjësve për vrasjen e Liridona Ademajt, duke e cilësuar atë si një përgjigje të fortë dhe të merituar të drejtësisë ndaj një krimi që, sipas saj, tronditi vendin.

Haxhiu ka theksuar se përpjekjet për ta fshehur vrasjen përmes skenarëve të rremë vetëm sa e kanë rënduar më tej aktin, ndërsa ka shtuar se vendimi gjyqësor dërgon mesazh të qartë se askush nuk mund të planifikojë apo kryejë krime të tilla pa u përballur me drejtësinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Asnjë vendim gjykate nuk e kthen Liridonën pranë fëmijëve të saj, pranë vëllait, pranë familjes por ky aktgjykim e bën të qartë se askush nuk mund të planifikojë, të urdhërojë apo të kryejë një krim të tillë dhe të mendojë se do t’i shpëtojë drejtësisë. Lufta kundër femicidit kërkon vigjilencë të përhershme, institucione të forta dhe zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo shprehu gjithashtu ngushëllime për familjen e Ademajt, duke theksuar se ndërtimi i një shoqërie ku gratë jetojnë të lira dhe të mbrojtura mbetet mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin e saj.

“Sot e kujtojmë Liridonën me dhimbje dhe respekt. Nderimin më të madh për të do ta tregojmë duke ndërtuar një Kosovë ku çdo grua jeton e lirë, e mbrojtur dhe me dinjitet. Në këto momente, jam pranë familjes së saj dhe uroj që ky vendim, sado pak, t’u sjellë një grimë qetësie në dhimbjen e tyre të thellë”, ka shkruar më tej ajo.

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murselin e Granit Plavën. Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vjet burgim. Vendimi është marrë në seancën e mbajtur të martën.

Murseli, bashkëshorti i Ademajt, Plava e Kokalla, të cilët nuk kanë qenë prezent në sallë kur është shpallur vendimi, akuzoheshin për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të 2023-ës.