Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se Kryesia e Kuvendit ka pasur qëllim të mirë kur e ka mbështetur financiarisht ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999” e që u shpërfaq se ka pasur të dhëna të pasakta në shumicën e rasteve. Duke shprehur keqardhje për situatën, Haxhiu ka thënë se është momenti që të bëhet reflektim institucional.
Ajo tutje ka thënë se të gjithë anëtarët e Kryesisë, pos përfaqësuesit e Listës Serbe, e kanë votuar mbështetjen e ekspozitës me autor Shkëlzen Gashin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor të premten e të shtunën u shpërfaq se të dhënat në tabelat për masakrat kanë qenë në shumë raste të pasakta. Aty për qindra njerëz u tha se ishin të armatosur dhe nuk u përfshinë në listën e civilëve të vrarë. Tabelat u bazuan në librin me të njëjtin emër të Gashit. Organizatat që organizuan ekspozitën thanë se të dhënat janë mbështetur në librin e organizatës Humanitarian Law Center të Natasha Kandiqit. Por Fondi për të Drejtën Humanitare mohoi gjithçka dhe cilësoi se ekspozita ka mungesë elementare të njohurive.
Komuna e Prishtinës veçse e ka hequr ekspozitën, ndërsa në opinion u kërkua llogari edhe nga Kuvendi që e financoi ekspozitën. Pas kësaj, Haxhiu ka thënë se kur ka vepruar Kryesia nuk ka pasur indikacione për pasaktësi.
“Si Kryetare e Kuvendit, ndjej obligim institucional dhe moral të shpreh keqardhjen time për situatën e krijuar. Kryesia ka vepruar mbi bazën e informacionit të paraqitur në atë kohë dhe nuk ka pasur indikacione për pasaktësi. Njëkohësisht, duhet theksuar se verifikimi i të dhënave nuk bie në kompetencat e drejtpërdrejta të Kryesisë. Mbështetja për këtë ekspozitë është dhënë me qëllim të mirë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Haxhiu ka thënë se tani Kuvendi duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar mekanizmat e vlerësimit për këso çështje.
“Megjithatë, ky rast përbën një moment të rëndësishëm reflektimi institucional. Në këtë drejtim, do të ndërmarrim hapa konkretë për të forcuar mekanizmat e vlerësimit, përmes themelimit të komisioneve të posaçme profesionale dhe ndryshimit të Rregullores ekzistuese, me qëllim fuqizimin e kritereve dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në vendimmarrje”, ka shkruar tutje ajo.