Arbëri

Hemodializa në Gjilan rrezikon të ndërpritet nesër, e në ditët në vijim edhe në Prizren e Pejë

Spitalet e Gjilanit, Prizrenit dhe Pejës kanë konfirmuar se nuk kanë më rezerva për ta vazhduar ofrimin e shërbimit të hemodializës për pacientët. Situata është përkeqësuar për shkak të pezullimit të tenderit të rregullt për furnizim me materiale, që është hapur dy herë nga muaji qershor e që ende nuk ka marrë epilog në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Në mungesë të kontratës, spitalet rajonale dhe klinikat po mbështeten përkohësisht në donacion.

Përgjegjës në Spitalin rajonal të Gjilanit kanë thënë se nuk janë të sigurt nëse në këtë institucion ka material të mjaftueshëm për t’ua ofruar pacientëve shërbimin e hemodializës, nesër.

Drejtori i këtij spitali, Afrim Cana, ka thënë se situata është kritike dhe në rast se nuk gjendet një zgjidhje urgjente, shërbimi mund të ndërpritet jo vetëm në Gjilan, por edhe në spitale të tjera.

“Në fakt, nuk kemi rezerva, a më kupton? Nuk po mund të them për rezerva, sepse është çështje ditësh nëse mundet edhe nesër të funksionojë shërbimi i dializës apo jo. Situata është e njëjtë nëpër rajone; shikoni, nuk besoj që dikush është më mirë e dikush më keq, pothuajse është identike. Spitali i Pejës dhe i Prizrenit po ashtu janë në pikëpyetje nëse mund ta ofrojnë këtë shërbim nesër apo jo”, tha Cana.

Shkak për këtë situatë është bërë pezullimi, dy herë nga qershori, i tenderit të rregullt për furnizim me materiale të hemodializës.

Për pasojë, me vështirësi të ngjashme sikurse Spitali i Gjilanit është edhe ai i Prizrenit. Drejtori Osman Hajdari, konfirmon se furnizimi po bëhet vetëm nëpërmjet donacioneve.

“Është e vërtetë që ka vështirësi në furnizim. Njëkohësisht jemi në kontakt me QKUK-në, me drejtoreshën e barnatores dhe me ekipin menaxhues të materialeve të hemodializës. Forma e furnizimit për momentin është me donacione, për shkak se çështja e kontratave ka pasur pengesa në kuptimin e prokurimit publik. Shpresojmë që nesër ose pasnesër do të ketë një epilog për këto kontrata”, tha Hajdari.

Edhe në Spitalin e Pejës kanë konfirmuar se furnizimi aktual mjafton vetëm për disa ditë.

“Aktualisht kemi furnizim të mjaftueshëm me materiale shpenzuese për dializë afërsisht edhe për 10 ditë”, u tha nga Spitali i Pejës.

E në ShSKUK kanë thëne se po bëhen përpjekje që materiali ekzistues të shfrytëzohet në mënyrë të barabartë në të gjitha njësitë ku ofrohet ky shërbim.

“Si ShSKUK, jemi në koordinim të plotë ndërmjet të gjitha njësive, në mënyrë që materiali ekzistues të shfrytëzohet në mënyrë efikase dhe të balancuar. Paralelisht, po punohet që të sigurohet furnizimi i ri me materialet e nevojshme për proceset e dializës, me qëllim të garantimit të vazhdimësisë së shërbimit për pacientët”, tha SHSKUK.

KOHA pati raportuar më herët se beteja për tenderin e rregullt të hemodializës po vazhdon në OSHP mes dy kompanive farmaceutike: “Meditech”, që është shpallur fituese dhe “MediHealth”, që paraqiti ankesë duke e akuzuar fituesen për përdorim të katalogut të falsifikuar.

Vlera e tenderit të rregullt është parashikuar rreth 5 milionë euro. Që nga korriku, ai ka mbetur i bllokuar dhe si pasojë e mungesave të materialit në korrik u hap një tender emergjent prej mbi 300 mijë eurosh, e të cilin e fitoi “MediHealth”.

Të dy kompanitë janë ndër operatorët që fituan më së shumti kontrata me SHSKUK - “Meditech” 32 dhe “Medi Health” 20 - por figurojnë njëkohësisht edhe në listën e gjobave, si kompanitë më të gjobitura për mosfurnizim me kohë të institucioneve shëndetësore.