Në 28-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që shënohet me datat 5, 6 dhe 7 mars, të premten qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe në varrezat e Jasharëve në Prekaz.
Atje kanë qëndruar edhe liderë shtetërorë e politikë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPresidentja Vjosa Osmani ka thënë se Prekazi simbolizon sakrificën e papërsëritshme të lirisë e rrugëtimin e pastër drejt shtetit.
“Shpresoj që çdo herë që dikush mund të ketë ndonjë dyshim se cila duhet të jetë rruga përpara, të mendojë sakrificën e fëmijëve të familjes Jashari dhe fëmijëve anë e kënd Kosovës që u sakrifikuan që ne të jemi të lirë. Prekazi na përkujton se liria është amanet dhe këtë amanet duhet ta ruajmë me çdo kusht”, u shpreh Osmani.
Kurse, kryeministri Albin Kurti, ka theksuar se kanë ardhur në Prekaz për t'ia kujtuar vetes çminim e lartë që është paguar për shtetin e pavarur dhe sovran, për çlirimin e Kosovës për lirinë e popullit dhe të qytetarëve.
“Tre breza të Jasharëve, gjatë tri ditëve, u flijuan për çlirimin e vendit, lirinë e popullit, për Republikën dhe për bashkimin tonë, andaj familjes Jashari, ne ia kemi borxh të përjetshëm e të pashlyeshëm angazhimin e përditshëm që ta ruajmë e ta mbrojmë shtetin dhe të drejtat dhe liritë e qytetarëve pa dallim”, ka deklaruar Kurti.
VIDEO:
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se bashkë me strukturat e partisë janë në Prekaz për të shprehur respektin dhe për të bërë nderim “në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.
“Respekt deri në përulje, çka do që të bëjmë ne, nuk është e barasvlershme me veprën dhe sakrificën që kanë bërë Jasharët, gjithmonë respekt deri në përjetësi”, ka theksuar Hamza.
VIDEO:
Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nga Prekazi kuptohet se sa e shenjtë është liria që sot e gëzojnë qytetarët.
“Përpjekja për shuarjen e trungut familjar të Jasharëve ishte përpjekje për shuarjen e popullit të Kosovës,. Qëndresa në Epopenë e UÇK-në ishte qëndresa e vet popullit”, ka thënë ai nga Prekazi.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, ka thënë se në këtë vend është bërë një betim se liria fitohet me gjak e nuk falet.
VIDEO:
“Këtu u dëshmua se e tërë një familje rri krah për krah me burrat, me vëllezërit, dhe digjen në flakë, që nga ajo flakë të lind liria, pavarësia e drejtësia, prandaj këtu është e tërë Kosova e nuk ka parti politike”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se në Prekaz janë rrënjët e shtetit të Kosovës.
Më 5 mars 1998, ka nisur sulmi i tretë i forcave serbe ndaj komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, familjes së tij dhe lagjes së Jasharëve në Prekaz të Skenderajt. Luftimet kanë zgjatur për tre ditë - më 5, 6 e 7 mars. Nga familja e ngushtë e Adem Jasharit janë vrarë 22 anëtarë, bashkë me 33 banorë të lagjes dhe të tjerë. Këtij sulmi i ka shpëtuar Bashkimi, djali i Rifat Jasharit, i cili ia pati dalë që të ikte nga rrethina, si dhe Besarta, vajza e Hamzë Jasharit.
Sulmi i parë ndaj familjes Jashari është bërë më 30 dhjetor të 1991-tës, ndërsa të dytin forcat paramilitare serbe e kanë kryer në janar të 1998-s.
Më 22 janar, forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, porse edhe kësaj beteje fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit, dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shokë e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta.
Ata i kanë kërkuar kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty, porse edhe gratë e edhe fëmijët patën marrë vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”.
Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së UÇK-së. Në 28-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e organizon manifestimin mbarëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.