Një hotel privat i është shtuar objekteve brenda kampusit të UP-së, jo larg kishës së ngritur dhunshëm nga sistemi i Millosheviqit. Rektori Arben Hajrullahu alarmoi se në këtë hapësirë është kryer krim i organizuar, në raport me të cilin kanë heshtur autoritetet qendrore dhe ato lokale
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë kampusin e Universitetit të Prishtinës (UP) ku sistemi i Sllobodan Millosheviqit dhunshëm e ndërtoi objektin e kishës ortodokse në vitet e ’90-a, është ngritur një tjetër objekt.
Ai nuk është për studentët.
Është hotel privat, që shteti i Kosovës ka lejuar të ndërtohet, rreth tri dekada pas çlirimit.
Ka muaj që “Zoe Hotel” ka hapur dyert dhe vepron brenda kampusit.
Rektori Arben Hajrullahu thotë se është ilegal, dhe se pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për veprim, si niveli qendror, ashtu edhe ai lokal, nuk kanë ndërmarrë masa.
“Kush duhet të japë përgjegjësi pse shtiren kinse nuk e dimë se çfarë është duke ndodhur? Apeli publik është për muaj të tërë që prona publike është nën atak, në këtë rast nga një subjekt biznesor, ndërsa organet ligjvënëse si në nivel lokal, si në qendror shtiren kinse nuk e dimë se çfarë jemi duke bërë. Ne kemi bërë apel publik në mënyrë të përsëritur dy herë në faqet e Universitetit të Prishtinës”, ka thënë Hajrullahu.
Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet rreth pronësisë dhe lejes së ndërtimit për këtë hotel.
Në fund të vitit të shkuar, UP-ja i bëri apel Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prishtinës dhe të gjitha organeve ligjzbatuese, që të verifikojnë lejen ndërtimore për shtesën e një objekti që “u ndërtua natën” më 25 tetor 2025, në kampus, pranë objektit të Administratës Qendrore. Inspeksioni ishte njoftuar edhe në shtator, dhe UP-ja i kishte kërkuar autoriteteve që ta rrënojnë objektin.
Rektori Hajrullahu thotë se zyrtarët komunalë kanë bërë vazhdimisht deklarata të pavërteta në lidhje me hotelin.
“Nuk mundet me ble ose me shit pronën publike, as kryetari, as rektori, as inspektorët... Ato aktivitete mund të jenë dhe janë në shfrytëzim vetëm të elementeve të krimit të organizuar, i cili është duke e atakuar pronën e Universitetit të Prishtinës”, ka thënë ai.
KOHA ka kontaktuar në numrin zyrtar të hotelit, por personi që është lajmëruar ka thënë se kërkesën për informacione e adreson te pronari dhe nëse ai do që të flasë, e kontakton redaksinë. Ai nuk është lajmëruar më pas.
E, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë thanë se Policia është autorizuar që të mbledhë informata për këtë rast.
Stafi e edhe klientët e hotelit shfrytëzojnë edhe hyrjen në hapësirën e kampusit universitar e edhe rrugën që kalon nëpër të.
Përmes një vendimi UP-ja është urdhëruar nga Drejtoria e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës që laura e vendosur në këtë rrugë të largohet brenda shtatë ditësh.
Sipas rektorit Hajrullahu të UP-së, kjo është bërë që t’u mundësohet qasja automjeteve për te hoteli. Ai shprehu drojën se në të mund të zhvillohen edhe aktivitete ilegale.
“Nuk është e mundshme që në mënyrë ligjore, qoftë në universitet, në komunë apo në çfarëdo niveli të qeverisjes në këtë vend, prona publike që është në shfrytëzim të Universitetit të Prishtinës apo të institucioneve të tjera t’i ndërrohet destinacioni i veprimtarisë dhe të hapen biznese gastronomike”, ka thënë ai. “Unë dyshoj se aty mund të ketë edhe aktivitete të tjera ilegale, ndoshta edhe aktivitete të shtëpive publike të prostitucionit”.
Në mungesë reagimi të institucioneve, rektori u bëri thirrje studentëve të reagojnë.
Por përfaqësues të Parlamentit Studentor thanë se kanë qenë të zënë me aktivitete të planifikuara më parë, dhe nuk kanë ndërmarrë veprime kundërshtuese.
“Realisht, Parlamenti Studentor në këtë periudhë ka qenë aktiv në atë që e ka planifikuar në vazhdimësi, kështu që edhe pozicioni jonë në lidhje me temën në fjalë është i qartë, pra Parlamenti Studentor qëndron fuqishëm kundër kësaj veprimtarie”, ka thënë Gentrit Isufi, kryetar i Parlamentit Studentor të UP-së.
Që nga viti 1969, kur është themeluar UP-ja, hapësirat brenda kampusit janë në shfrytëzim të përhershëm të universitetit. Jo rrallëherë në to janë bërë ndërhyrje ilegale. Të tillë, UP-ja e konsideron edhe hotelin e ngritur.
Në mars, UP-ja shprehu shqetësimin e fundit me “aktivitetet ilegale ndërtimore dhe biznesore” mes Bibliotekës Qendrore Universitare dhe hapësirave te Instituti i Kimisë në kampusin qendror, dhe u bëri apel publik dhe thirrje organeve ligjzbatuese si Prokurorisë së Shtetit, Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Polici, që të ndalojnë “aktivitetet ilegale dhe të krijojnë parakushte e siguri për Universitetin e Prishtinës që të mund të zhvillojë veprimtarinë e vet i papenguar”.
Sipas UP-së, për punime dhe veprimtari ilegale në këtë pjesë të kampusit universitar, Inspeksioni i Komunës së Prishtinës ishte njoftuar nga zyrtarë të UP-së më 23 shtator 2025 dhe më 25 tetor 2025, ndërsa drejtori i këtij dikasteri komunal kishte dalë në vendin e ngjarjes tek më 27 tetor 2025, mirëpo pa ndërmarrë asnjë veprim konkret dhe duke mundësuar “aktivitetet ilegale ndërtimore e biznesore” në kampusin qendror të UP-së.