Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti: Pasaktësitë për masakrat cenojnë të vërtetën historike

Andin Hoti

Foto: Driton Paçarada

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i ka quajtur të papranueshme dhe cenim të drejtpërdrejtë të të vërtetës historike shfaqjen e pasaktësive në ekspozitën për masakrat e luftës 1998/99 në sheshin e Prishtinës.

Të premten, ekspozita e organizuar nga “Admovere” dhe “Integra”, e bazuar në librin e Shkëlzen Gashit për “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, ka nxitur reagime për pasaktësi, sidomos për klasifikimin si të armatosur për një pjesë të të vrarëve nëpër masakra. Organizatorët thonë se janë mbështetur në burime ndërkombëtare, ndërsa Kuvendi që ka mbështetur financiarisht ekspozitën ka thënë se nuk e verifikon, por ka kërkuar korrigjim të gabimeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas reagimeve, Komuna e Prishtinës ka njoftuar për pezullim të lejes, ndërsa ministri Hoti ka bërë thirrje që të tërhiqen menjëherë përmbajtjet e pasakta.

“Ekspozimi në sheshin e Prishtinës i materialeve me pasaktësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është i papranueshëm dhe cenon drejtpërdrejt të vërtetën historike. Në kuadër të një ekspozite publike për masakrat e luftës 1998/99, janë evidentuar raste ku faktet janë paraqitur gabimisht dhe, në disa raste, edhe në mënyrë të shtrembëruar. Në rastin e masakrës në Krushë të Madhe, përveç pasaktësive në numrin e viktimave, paraqitet edhe një narrativë e rrezikshme dhe e pavërtetë, sipas së cilës gratë dhe fëmijët kinse janë lejuar të largohen, ndërsa burrat janë vrarë. Kjo nuk qëndron.  Në Krushë të Madhe janë vrarë edhe gra, përfshirë gra shtatzëna, çka e rrëzon çdo përpjekje për ta paraqitur këtë krim si një veprim ‘selektiv’”, ka shkruar ai në Facebook. “Në rastin e masakrës në Burgun e Dubravës, numri i viktimave nuk përputhet me të dhënat e konfirmuara, ndërsa paraqitja e disa prej tyre si “persona të armatosur” është plotësisht e pavërtetë. Të burgosurit shqiptarë kanë qenë civilë, të pambrojtur dhe nën kontroll të plotë të forcave serbe”.

Hoti ka thënë se këto s’janë gabime të thjeshta teknike, por shtrembërime që rrezikojnë të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme.

Hoti ka bërë thirrje për tërheqjen e materialeve të pasakta dhe verifikim institucional të plotë të ekspozitave publike për krimet e luftës.

Ai po ashtu ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse, përfshirë Prokurorinë që ta shqyrtojë këtë çështje.

“E vërteta për krimet e kryera në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet. Ajo është themel i drejtësisë dhe detyrim ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe historisë sonë”, ka përfunduar Hoti.

Lexo përditësimet tjera
Ekspozitë me pasaktësi për masakra - Kuvendi e financoi pa e verifikuar

Ekspozitë me pasaktësi për masakra - Kuvendi e financoi pa e verifikuar

Një ekspozitë në mes të sheshit qendror të Prishtinës, e financuar nga Kuvendi i Kosovës, përmban...