Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hyseni: Nëse ka zgjedhje në vjeshtë mund të dyfishohet numri i qytetarëve që s’votojnë

Flamur Hyseni

Profesori i së drejtës, Flamur Hyseni, ka thënë se dalja prej vetëm 36% e qytetarëve në votime në zgjedhjet e 7 qershorit, është një paralajmërim se legjitimiteti i partive politike mund të vazhdoj të bie.

Në zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën të dielën, rreth 200 mijë qytetarë nuk e ushtruan të drejtën e votës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Hyseni në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se nëse do të kemi sërish zgjedhje në vjeshtë, numri 200 mijë i qytetarëve që injoruan procesin zgjedhor, mund të dyfishohet.

“Është një paralajmërim që ndoshta nëse prapë do të kemi zgjedhje në vjeshtë mund të ulet po aq numri i qytetarëve që nuk dolën në votime, dhe legjitimiteti shkon duke u zvogëluar dhe prapë është një paralajmërim serioz për partitë politike të cilat rrezikojnë me legjitimitetin e tyre”, ka thënë Hyseni.

Megjithatë siç theksoi Hyseni edhe nëse bie edhe më shumë numri i votuesve, nuk ka ndonjë dispozitë sanksionuese për mos dalje në zgjedhje.

“Pra sado të ketë dalje të qytetarëve në zgjedhje, rezultati dhe procesi konsiderohet legjitim dhe mund të vazhdohet tutje por kjo nuk vlen edhe për legjitimitetin e partive politike. Kjo nuk është shenjë e mirë për demokracinë”, ka thënë Hyseni.

Profesori Hyseni ka thënë se do të duhej të kishte marrëveshje mes partive politike për të trija pozitat udhëheqëse të shtetit.

Sipas tij, qysh në fillim do të vërehet nëse do të ketë marrëveshje ose jo.

“Do të duhej që fillimisht për të trija pozicionet të bisedohet. Të arrihet një koalicion paraprak për Qeverinë, për kryetarin e Kuvendit të Kosovës ndonëse e drejta për propozim i takon partisë fituese por ç’logjikë ka që fillimisht të zgjidhet e pastaj të presim. Nëse shkohet me këtë logjikë atëherë shihet që marrëveshja nuk arrihet gjatë rrugëtimit. E kemi dy herë të përsëritur këtë situatë”, ka deklaruar Hyseni në KTV.

Zgjedhjet e 7 qershorit janë vlerësuar si ndër proceset më të rregullta zgjedhore në historinë e re të vendit, por njëkohësisht kanë shënuar daljen më të ulët të votuesve në dekadën e fundit.

Kosova ka mbajtur tri palë zgjedhje parlamentare dhe ato lokale me balotazh që nga 9 shkurti i vitit 2025. Vendi në zgjedhjet e 7 qershorit shkoi pasi nuk u arrit një marrëveshje mes partive politike për çështjen e presidentit.