Arbëri

I mbijetuari rrëfen natën e tmerrit në Mitrovicë, Komuna përuron pllakën përkujtimore

Pllaka përkujtimore në nderim të viktimave të "Natës së Tmerrit"

Foto: Driton Paçarada

Dhjetë shqiptarë civilë, në mesin e tyre gra, fëmijë dhe pleq, u vranë në veri të Mitrovicës më 3 dhe 4 shkurt 2000, në një natë që, sipas të mbijetuarit Luan Abrashi, ishte e organizuar për spastrimin etnik dhe ndodhi në prani të forcave ndërkombëtare, raportoi EO.

Abrashi, i cili në atë kohë ishte 13-vjeçar dhe humbi nënën, Sebiha Abrashi, tha se vrasjet u kryen në mënyrë barbare dhe pa dallim moshe apo gjinie, duke përdorur bomba, armë të ftohta dhe mjete të tjera.

Ai theksoi se ngjarja ndodhi rreth gjashtë muaj pas përfundimit të luftës dhe se prania e KFOR-it dhe UNMIK-ut nuk arriti t’i mbrojë civilët.

“Po, realisht me datën 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, në pjesën veriore të Mitrovicës, ku janë vrarë 10 shqiptarë civilë të pafajshëm, ku në mes të cilëve ka qenë edhe nëna ime, Sebiha Abrashi. Atë natë ka qenë një natë e tmerrshme për arsye se është bërë në prezencën e forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut, pra realisht afër gjashtë muaj pas përfundimit të luftës. Ka qenë e organizuar shumë mirë nga ana e strukturave serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve. Ka qenë një natë e tmerrshme, realisht vrasjet janë bërë pa dallim gjinie, pa dallim moshe, në mënyrën më barbare, me bomba, me armë të ftohta edhe me çdo gjë që kanë mundur ata”, tha ai.

Sipas tij, edhe pas 26 vjetësh nuk ka pasur drejtësi për viktimat e asaj nate, duke shtuar se askush nuk është dënuar, ndonëse, siç u shpreh, dihet se kush ishin strukturat përgjegjëse.

Abrashi tha se familjet e viktimave po shqyrtojnë mundësinë e paraqitjes së padive edhe në institucionet ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke argumentuar se krimet ndodhën në rrethana të veçanta dhe nën mbikëqyrjen e misioneve ndërkombëtare të sigurisë.

“Jam pak edhe pjesën e emocionuar sa i përket kësaj teme kur bisedoj, kur flas, se kam qenë i moshës së re, 13 vjeçare në atë kohë, mirëpo e kujtoj shumë mirë. Fatkeqësia është se edhe pas rastit, pas 26 viteve, ende nuk ka drejtësi sa i përket viktimave të asaj nate. Nuk është dënuar askush, edhe pse dihet shumë mirë kush ka qenë në krye, si Oliver Ivanoviqi, Delibashiqi e të tjerë, mirëpo nga drejtësia edhe vendore edhe ndërkombëtare asgjë nuk është marrë. Ne mendojmë se duhet të bëjmë padi edhe në Drejtësinë Ndërkombëtare të Strasburgut për arsye se ka qenë rast i veçantë, ka qenë në prani të forcave të KFOR-it dhe të UNMIK-ut, pikërisht kur ata është dashur të na sigurojnë ne, realisht ne e kemi gjetur vdekjen në banesat tona”, tha ai.

Ai tregoi se gjatë luftës kishte qëndruar në banesën e tij me prindërit, por pas përfundimit të saj familja u godit nga tragjedia me vrasjen e nënës. Pas ngjarjeve, Abrashi tha se familja u zhvendos në pjesën jugore të qytetit, duke jetuar për vite me qira, pasi pronat në veri ishin uzurpuar.

“Unë gjatë gjithë kohës kam qenë, edhe gjatë bombardimeve kam qenë në banesën time së bashku me prindërit e mi, mirëpo pas luftës na ka ndodhur fatkeqësia dhe vrasja e nënës. Tash jetojmë në pjesën jugore. Realisht kemi qenë të dëbuar, kemi ndenjur me qira, realisht pronat tona i kemi pasur në veri të uzurpuara, ndërsa ne kemi banuar në pjesën jugore me qira për shumë vite”, tha ai.

Duke folur për çështjen e pronës, ai deklaroi se shumë familje nuk arritën t’i rimarrin banesat dhe se vetë ishte detyruar ta shiste banesën në veri në vitin 2008, pasi u vendosën në pjesën jugore të Mitrovicës.

“Shumicës prej nesh jo, shumicës prej nesh jo, edhe pse ka qenë në mënyrë të imponuar. Unë në vitin 2008 nëse nuk gabohem, jam detyruar të shes banesën në veri për arsye se u bë zgjidhja për banim në pjesën jugore”, tha ai.

26 vjet më parë, ‘Rojat e urës’ patën vrarë dhjetë shqiptarë, në mesin e tyre fëmijë, gra e pleq. U plagosën edhe shumë të tjerë, teksa u dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.

Në nder të viktimave dhe si kujtesë e dhimbjes dhe sakrificës, Komuna e Mitrovicës ka vendosur një pllakë përkujtimore. 

Në përurimin e kësaj pllake përkujtimore mori pjesë edhe kryetari i komunës, Faton Peci. 

"Bashkë me deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ekzekutivin e Komunës së Mitrovicës, në kujtim dhe nderim të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, ku janë vrarë 10 qytetarë shqiptarë, janë plagosur 25 dhe janë dëbuar rreth 12 mijë qytetarë shqiptarë të pjesës veriore nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit dhe pasuesve të tij. Ne e pamë të rrugës që në kujtim të tyre të shpalosim këtë pllakë, për shkak se duhet të jetë e paharruar sakrifica dhe gjaku i derdhur i qytetarëve shqiptarë edhe pas çlirimit të Kosovës dhe prezencës së KFOR-it në Kosovë. Ata u vranë, civilë të pafajshëm, dhe fatkeqësisht edhe ato dy netë të pambrojtur, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë dhe ishin rikthyer në shtëpitë, banesat dhe pronat e tyre”, tha ai.