Arbëri

IKD-ja kërkon hetimin e Prokurorisë Speciale për vendimet e fundit të Qeverisë në detyrë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se vendimet e fundit të Qeverisë në detyrë, të miratuara më 7 tetor – vetëm pesë ditë para mbajtjes së raundit të parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor 2025 – ngrenë dyshime për përgjegjësi penale dhe shkelje ligjore, duke i kërkuar Prokurorisë Speciale të nisë hetime.

Sipas IKD-së, këto vendime kanë ndikim financiar dhe efekt elektoral, duke ngritur dyshime për shkelje të ligjit dhe për mundësi të përgjegjësisë penale të zyrtarëve qeveritarë.

“Në mesin e vendimeve të marra janë: shtimi i masës “Bursa e Mobilitetit për Studentë” në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike me vlerë prej 20 milionë eurosh, ndarja e 100 eurove njëherësh për studentët (me kosto rreth 6 milionë euro), si dhe ndarja e 1 milion eurove për kuponë ushqimorë për familjet në nevojë. Qeveria në detyrë ka miratuar gjithashtu shpronësime për projektin e kyçjes së Vitisë në autostradën “Arbër Xhaferi” në vlerë rreth 3 milionë euro dhe Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike”, thuhet në reagimin e IKD-së.

IKD thekson se, ndonëse ndihma për grupet e ndjeshme është e rëndësishme, çdo vendim qeveritar duhet të bazohet në ligj dhe të respektojë procedurat ligjore. Instituti kujton se, sipas Gjykatës Supreme, një person nuk mund të jetë njëkohësisht deputet dhe anëtar i Qeverisë, dhe vendimet e nënshkruara nga persona që mbajnë të dyja pozitat janë të kundërligjshme.

“Sipas vendimit të Gjykatës Supreme, çdo vendim i marrë nga persona që janë njëkohësisht deputetë dhe ministra në detyrë është i pavlefshëm dhe përbën shkelje ligjore”, thekson IKD-ja.

Tutje, organizata vlerëson se këto vendime tejkalojnë kompetencat e një Qeverie në detyrë, pasi nuk janë pjesë e Planit Vjetor të Punës dhe as të ligjit vjetor për buxhetin, duke i bërë ato të kundërligjshme.

Sipas IKD-së, fakti që vendimet janë marrë vetëm pesë ditë para zgjedhjeve lokale ngre dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe fondeve publike për qëllime elektorale.

“Kjo sjellje mund të përmbushë elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në reagim.

IKD ka bërë thirrje që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të hetojë këto vendime dhe të përcaktojë nëse janë kryer vepra penale.

“Vendimmarrja në tejkalim të kompetencave ligjore, në prag të zgjedhjeve, ngre dyshime të arsyeshme për qëllim elektoral dhe përfitim politik të partisë në pushtet”, përfundon reagimi i IKD-së.