Arbëri

IKD: Autorizimi për ekzaminim të telefonave, kompetencë ekskluzive e prokurorit

Foto ilustrim

Ekzaminimi i telefonit në procedurë është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit, thuhet në një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi që ka analizuar bazën ligjore, kushtetuese në Kosovë dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj).

Sipas raportit, jepet përgjigja nëse për ekzaminimin e të dhënave në telefonat e sekuestruar kërkohet vendim i posaçëm gjyqësor apo nëse mjafton autorizimi i Prokurorit të Shtetit, pas sekuestrimit të ligjshëm të pajisjes me vendim të gjykatës.

“Gjetjet kryesore të raportit tregojnë se, sipas KPPRK-së, kompetenca për autorizimin e ekzaminimit të pajisjeve telefonike të sekuestruara i takon ekskluzivisht Prokurorit të Shtetit, ndërsa gjykata ka kompetencë vetëm për sekuestrimin e pajisjeve dhe jo për ekzaminimin e tyre, pasi për këtë të fundit nuk ekziston bazë ligjore për nxjerrjen e një vendimi gjyqësor. Raporti po ashtu konstaton se të dhënat e nxjerra nga një pajisje telefonike e sekuestruar ligjërisht nuk përbëjnë ‘përgjime’, pasi përgjimi lidhet me mbikëqyrjen e komunikimeve në kohë reale dhe rregullohet si masë e veçantë hetimore, e cila kërkon çdoherë vendim gjyqësor. Në të kundërtën, ekzaminimi i provave të sekuestruara rregullohet me dispozita të tjera ligjore dhe me standarde të ndryshme kushtetuese dhe ndërkombëtare”, thuhet në një njoftim për media të IKD-së.

IKD-ja ka vlerësuar se ndryshimi i praktikës gjyqësore mbi bazën e të njëjtit ligj krijon pasoja serioze në praktikë dhe rrezikon dështimin e rasteve penale.

Në raport theksohet se, në rast dileme për kushtetutshmërinë e dispozitave të KPPRK-së, gjykatat duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, dhe jo të shmangin zbatimin e ligjit përmes interpretimeve të drejtpërdrejta kushtetuese.

Raporti rekomandon zbatimin konsekuent të ligjit, dallim të qartë ndërmjet përgjimeve dhe ekzaminimit të provave digjitale, si dhe interpretim të dispozitave ligjore në harmoni me Kushtetutën dhe jurisprudencën e GjEDNj-së.