Inspektorati në Podujevë gjatë kontrolleve në disa biznese në këtë komunë ka gjetur se 6 prej tyre nuk janë të regjistruara, 27 të tjera nuk e kanë vendosur orarin e punës dhe 31 nuk e kanë vendosur çmimoren.
Sipas një njoftimi të Zyrës për Marrëdhënie me publikun dhe informim, tek 73 biznese nuk është gjetur ndonjë parregullsi.
“Drejtoria e Inspeksionit ka përfunduar aksionin e kontrolleve në kafiteri, fastfood dhe restorante të ndryshme të qytetit dhe në fshatra për të siguruar që të gjitha bizneset respektojnë rregulloret e punës. Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar 126 biznese, ku janë verifikuar se a janë të regjistuara bizneset, a është i vendosur orari i punës së tyre si dhe çmimorja e produkeve që shërbehen në këto biznese”, thuhet tutje në njoftim. “Nga 126 biznese të kontrolluara janë evidentuar 6 biznese të paregjistruara, ndërsa nga 120 biznese të regjisturara 27 nga këto nuk e kanë të vendosur orarin e punës, 31 prej tyre nuk e kanë të vendosur çmimoren e produkteve që këto biznese shërbejnë. Ndërsa nga të gjitha bizneset 73 prej tyre janë të regjistruara si biznese, kanë të vendosur orarin e punës dhe çmimoret, pra nuk është gjetur ndonjë parregullsi”.
Sipas njoftimit, Drejtoria e Inspeksionit do të vazhdojë me kontrolle të tilla, ndërsa qytetarët janë ftuar që për çdo parregullsi të adresojnë ankesat në Drejtorinë e Inspeksionit.