Arbëri

Inspektorati shqipton gjoba për parkingje, opozita bën thirrje të mos paguhen

Me 30 euro gjobë po dënohen qytetarët të cilët parkohen në hapësirat e “Prishtina Parking” e nuk po e bëjnë pagesën prej 1 euro apo 50 cent për 1 orë. E disa qytetarë po ankohen se ata po dënohen me këtë gjobë edhe në rast se e parkojnë jashtë hapësirave të Prishtina Parking.

Megjithatë, konfuzioni më i madh i qytetarëve është nëse duhet të paguajnë apo jo dënimin që po iu jepet për “Prishtina Parking”.

Pas vendimit të Gjykatës Supreme të vitit të kaluar e cila shfuqizoi disa paragrafë të rregullores së “Prishtina Parking” duke ia hequr kështu të drejtën edhe të vendosjes së bllokadave në rrota, vendosjen e laurave e shqiptimit të dënimeve nga vetë punëtorët e kësaj ndërmarrjeje, “Prishtina Parking” në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dolën me përmirësim të rregullores.

Pas përmirësimit të kësaj rregulloreje, Komuna e Prishtinës rinisi punën me rregulla të reja duke ia dhënë të drejtën e shqiptimit të gjobave Inspektoratit të kryeqytetit. Nga Inspektorati kanë thënë më parë se në rast mos pagese gjobat do dërgohen te përmbaruesi.

Me përmirësime kjo rregullore para se të futej në zbatim do të duhej të shkonte në Kuvend Komunal për miratim, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Asamblistja e VV-së, Nora Kelmendi, ka thënë se kjo rregullore nuk është e ligjshme pa kaluar në Kuvend, kësisoj as gjobat.

Ajo thotë se çdo herë iu thotë miqve e familjarëve të mos e paguajnë gjobën që iu shqiptohet për “Prishtina Parking”.

KOHA ka kërkuar nga Inspektorati të dijë se sa gjoba janë shqiptuar deri më tani, nëse qytetarët që nuk kryejnë pagesën po dërgohen te përmbaruesi apo edhe se ku shkojnë mjetet nga pagesa e qytetarëve, mirëpo kjo drejtori nuk ka kthyer përgjigje.

KOHA ka tentuar të marr një përgjigje edhe nga “Prishtina Parking” në lidhje me këto dilema të qytetarëve mirëpo as ata nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.