Parregullsi janë evidentuar në disa biznese të Komunës së Podujevës nga inspektorët komunalë.
Atyre u janë shqiptuar vërejtje dhe janë paralajmëruar me gjoba të enjten në rast se nuk i përfillin vërejtjet e Inspektoratit komunal.
“Drejtoria e Inspeksionit ka vazhduar aksionin për inspektimin e të gjitha kafiterive, pastiqerive dhe të gjitha bizneseve të cilat operojnë në Komunën e Podujevës në rrugët ‘Skenderbeu’, ‘Nuhi Gashi’ dhe ‘20 Qershori’. Janë shqiptuar vërejtje pasi që gjatë kontrolleve janë evidentuar parregullsi të ndryshme në këto biznese. Në rast të mosrespektimit të vendimeve nga ana e Drejtorisë së Inspeksionit dhe ligjeve në fuqi ndaj tyre do të shqiptohen gjoba kundërvajtëse”, thuhet në njoftimin e Zyrës për marrëdhënie me publikun dhe informim.
Drejtoria e Inspektoratit, sipas njoftimit, do të vazhdojë me kontrolle të tilla dhe ka ftuar qytetarët që për çdo parregullsi të adresojnë ankesat në këtë drejtori.