Arbëri

Inspektorët e tregut përplasin Hajdarin me opozitën

Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti u diskutua të martën për çështjen e inspektorëve komunalë që ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se kompetenca për ta do të jetë e nivelit qendror, duke shtuar se ligji e definon kompetencën e tyre.

Ndërsa, drejtori i Zyrës Ligjore, Rexhep Bllaca, ka deklaruar se ata do t’i barten nivelit qendror, por problemi mbetet me Ministrinë e Financave, duke shtuar se ajo “s’e lejon bartjen e inspektorëve nga niveli lokal në qendror”.

“Por, kjo mbetet të trajtohet. Gjithçka do të jetë në nivelin qendror”, ka thënë ai.

Sipas Hajdarit, është synuar bartja e inspektorëve, por s’ka pasur vullnet.

“Kemi pasur shumë synime për t’i bartur të gjithë inspektorët, por nuk kemi gjetur vullnetin e duhur nga të gjitha komunat...Me ligjin aktual ne i kemi dy inspektorate, në nivel lokal dhe qendror. Ne me ligjin e ri e kemi bartur kompetencat në nivelin qendror. Kurse inspektorët komunalë do të rrinë në komuna dhe do të sistemohen atje”, ka thënë ajo.

Për çështjen e pagave të inspektorëve ka reaguar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, duke thënë se me këtë ligj nuk saktësohet qartë bartja fizike.

“Çfarë marrëveshje keni me komunat dhe me Ministrinë e Financave. Ju po hyni në një lig jqë prapë nuk do ta rregullojë deri në fund çështjen e inspektoratit të tregut. Çuditem se si për shembull edhe nga zyra ligjore që thotë se nuk jemi kah bisedojmë këtu për paga. Dua ta saktësojmë se nuk po flasim për koeficientë e për paga, por po flasim për përgjegjësitë dhe kompetencat dhe njëherë e përgjithmonë të rregullohen gjërat”, ka theksuar Lekaj.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka shtuar se në bazë të kësaj, kompetencat ministrja Hajdari po i mban larg.

“Çfarë roli dhe funksioni mund të kryejnë ata (inspektorë) nëse ju merrni kompetencat”, ka shtuar ai.

Detaje për temën e inspektorëve ka kërkuar se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, duke kërkuar që me ligjin e ri, inspektorati të avancojë “në krahasim me ligjin paraprak”.

“Ju dhatë një lloj përshkrimi se si do të zbatohet kjo rregullore. Mendoj se sa i takon procedurave që nuk përmbushin standardet dhe cilësinë e keni bë një punë të mirë. Me ligjin e ri sa avancon kjo”, u shpreh Hyseni.

Ndërsa, ministrja Hajdari ka thënë se në hyrje të ligjit të ri do të rregullohet çështja e sistematizimit të inspektorëve.

“Gjatë këtyre viteve ne kemi praktikën jo të mirë sa i përket raportimi të inspektorëve komunalë. Ata inspektorë asnjëherë nuk kanë raportuar. Kanë raportuar te kryetarët e komunave, kanë marreë vendime pa dakordim e koordinim me Ministrinë. Disa prej tyre nuk i kanë pasur as mjetet e duhura te punës. Edhe 27 inspektorë shtesë që janë shtuar me Ligjin e Buxhetit për vitin 2024, por jo të gjithë janë punësuar. Ne synojmë rritjen e tyre. Do të hapim shpallje në këtë pranverë. Deri më tash me gjithë këto kapacitet të ulëta ne kemi arritur shifër rekord sa i përket Inspektimeve mbi 3 mijë”, ka thënë Hajdari.

Hajdari ka shtuar se ky ligj “nuk e konfronton asnjë ligj sa i përket pozitave”.

“Sa i përket Inspektorati ata i kanë pagat që i kanë sot. Ky ligj nuk ka asnjë paqartësi. Do të ketë mirëfunksionim të inspektoratit dhe nuk do të ketë moskoordinim të nivelit lokal me atë qendror. Ne prapë se prapë presim që sistematizimi të rregullohet me akte nënligjore. Unë ju sqaroj se ky ligj sjell një reforme për inspektim të tregut”, ka shtuar ajo, derisa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Valetina Bunjaku, ka thënë se ligji duhet të rregullohet “nëse e doni përkrahjen tonë”.


Lekaj-Hajdarit: Ju mendoni se i keni 51%, do të vijnë zgjedhjet e reja

Image

Gjatë debatit në Komision, deputeti Pal Lekaj i AAK-së ka akuzuar ministren Rozeta Hajdari për centralizim, duke shtuar se ajo “është e pasaktë, e mjegulluar dhe konfuze”.

“Mendoj se ministrja është e pasaktë, e mjegulluar dhe konfuze. Ju është dashur që ta konsultoni edhe Ligjin për Qeverisje Lokale. Ju po e bëni një centralizim. Derisa nuk ka marrëveshje me komunat, kot e keni. E kuptoj qe nuk keni përvojë dhe ju mungon praktika dhe nga ajo që kemi pa në Ministri nuk e di çka keni bë qe tre vite. Prapë po sjell ligje jo funksionale, joimplementuese. Ne duhet të shkojmë kah decentralizimi, jo kah centralizimi...Ju mendoni se i keni 51 për qind, por do të vijnë zgjedhjet e reja e keni me u mbajt mend”, u shpreh ai.

Ndaj Lekajt ka reaguar Mimoza Kusari-Lila e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i thënë “Pal, lë diçka edhe për seancë plenare”.

“Ligji po prezantohet në shqyrtim në Kuvend. Nuk ke nevojë të lëshosh deklarime politike. Duhet me e pa komplet përmbajtjen e ligjit duke u ndalur te dy dispozita”, ka shtuar deputeti Driton Hyseni.

E, Lekaj ka shtuar se interesi i konsumatorëve është të mos bëhet mishmash.

“Unë këtu merrem edhe me politikë dhe parlamenti është vendi që merret edhe me politikë nëse nuk e dini. Interesi i konsumatorëve është që të mos bëhet mishmash, por që ligji të jete funksional dhe i zbatueshëm”, ka shtuar ai, derisa debati mes anëtarëve të Komisionit për Ekonomi vazhdoi në prezencë të ministres Hajdari.

Nga mbledhja është larguar shefi i stafit të ministres Hajdari, Kushtrim Dakaj.

Shala i PDK-së ka thënë se për projektet e 2023-s dhe planet e 2024-s nuk ka marrë asnjë dokument.

“Nuk kemi marrë asnjë dokument të shkruar për planin e punës 2023 dhe jemi krejtësisht larg informacionit zyrtar sepse nuk na keni dërguar asgjë, ndonëse kjo nuk është praktikë. Nuk e kam të qartë pse nuk kemi raport të shkruar”, ka potencuar ai.

E, Hajdari shtoi se ka obliguar dërgimin e raportit.

“Unë e kam një kopje dhe u kam thënë të ua dërgojnë por nuk e di nëse ka vonesë”, ka shtuar ajo.

Deputeti i VV-së, Armend Muja, tha se në komision “po jemi shumë të vrazhdë me ministren”, e Shala iu përgjigj duke thënë se ajo “ka kërkuar të caktohet takimi për këtë datë”.

“Katër herë ka kërkuar me shty mbledhjen dhe kjo ka qenë kërkesë e saj për me caktu këtë datë. I kemi shkruar zyrtarisht të na i sjell raportet. Asnjërën nuk e ka pru. Sjellja e jonë mendoj se është korrekte. Ka ardhur me ngarkesa, me tre persona të tjerë dhe nuk e di nëse ka sjell raportet apo jo...E mirëkuptuam edhe sot, por me sjelljet e tyre që i pamë më herët edhe në fund me u çu e me u hidhëru”, ka shtuar Shaal.

Lekaj e akuzoi ministren Hajdari se e mban në kabinet një mashtrues.

“Shefi i kabinetit në 2020-n ka mashtruar si inspektor dhe tanimë ju e keni bë shef të kabinetit. Unë nuk e di çka diskutojmë sot këtu pasi nuk e kemi asnjë raport...Nuk i thashë kësaj. I thashë të paska mashtruar edhe ty, qysh ka mashtru në vitin 2020. Sado që mundoheni me e shpëtu këtë ministre kot e keni”, u shpreh Lekaj.

E deputetja e LDK-së, Valetina Bunjaku, tha se ministrja Hajdari ka ardhur e nervozuar në mbledhjen e Komisionit.

“Nuk pati bullizim ndaj saj. Është mire me i thënë eja pak më qetë. Nuk është tendencioze ndaj saj, por po vjen me nervoza. Ajo duhet me na dhënë llogari neve e jo ne asaj”, ka shtuar ajo.