Arbëri

Integrimi i sistemeve paralele serbe mbetet pa veprime konkrete

VERIU

Foto: Driton Paçarada

Iniciativa e Qeverisë së Kosovës për integrimin gradual të sistemeve paralele serbe në arsim dhe shëndetësi brenda institucioneve shtetërore ka mbetur pa veprime konkrete prej më shumë se një muaj. Kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar se procesi do të realizohej në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe komunitetin serb, por deri më tani nuk është bërë e ditur nëse janë ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se kjo çështje nuk është diskutuar as në takimin e fundit me kryetarët e komunave me shumicë serbe. Ai theksoi se çdo veprim do të ndërmerret në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke nënvizuar se rendi juridik i vendit është baza e vetme mbi të cilën do të funksionojë procesi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit serbë kanë kundërshtuar çdo iniciativë për shkrirjen e institucioneve paralele në sistemin e Kosovës, duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet ekskluzivisht në kuadër të dialogut të Brukselit. Megjithatë, nga Brukseli zyrtar nuk ka pasur ndonjë reagim apo qëndrim publik lidhur me këtë temë gjatë muajit të fundit.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Bashkimi Evropian duhet të ketë rol më aktiv në këtë proces. Dorajet Imeri thekson se BE-ja nuk duhet të mbetet spektatore, por ta mbështesë integrimin si pjesë e konsolidimit institucional, ndërsa Basri Muja konsideron se Qeveria duhet të këmbëngulë në zbatimin e nismës, duke garantuar vende pune dhe siguri për qytetarët serbë, pavarësisht rezistencës së mundshme politike. Institucionet paralele në komunat me shumicë serbe vazhdojnë të funksionojnë me financim nga Serbia, ndonëse në mandatin e kaluar janë mbyllur disa struktura të tilla.