Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se nën dyshimin për manipulim me vota në Dragash, janë intervistuar 51 persona. Sipas njoftimit, hetimet janë realizuar me autorizimin e kryeprokurorit Petrit Kryeziu si hetime me vetiniciativë.
Sipas njoftimit, 9 nga 51 personat e intervistuar janë ndaluar për 48 orë.
“Pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të këtij hetimi, janë intervistuar pesëdhjetë e një (51) të dyshuar. Nëntë (9) prej tyre pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 par.2 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Tutje thuhet se brenda afateve ligjore do të vlerësohet edhe parashtrimi i kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.