Dëshmitari Arben Selmanaj, ish-koleg i Triumf Rizës, ka dëshmuar para gjykatës të martën se ishte plagosur në rastin “Swiss Casino” në 2006-n ku thuhet se ishte edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë”.
Ai ka thënë të martën se “grupi i Enverit ka qenë brenda dhe jashtë lokalit”, derisa për Rizën tha se ishte polic i mirë dhe Sekiraqa “mundohej t’i bënte presion”.
“Kështu që e kemi gjetur veten në mes dhe jemi sulmuar pa paralajmërim apo diçka. Nuk jam vetëm dëshmitar, por edhe viktimë. Ka pasur edhe raste të tjera, një rast tjetër që e ka pasur një ndeshje me vetura. Po ashtu, kur janë zënë dy persona nga Hajvalia me armë dhe me antiplumb. Kur janë marrë në pyetje kanë deklaruar që janë paguar për ta përcjellë dhe vrarë Triumfin”, ka thënë Selmanaj.
Sipas dëshmitarit, Rizës i ishte djegur vetura “kur kishte nisur një lidhje dashurie me këngëtaren Adelina Ismaili”.
“Meqë Triumfi ishte djalë i Prishtinës dhe polici më i mirë në atë kohë në Kosovë (v.j Sekiraqa) është mundu me i ba njëfarë presion për me dominu në Prishtinë...Këto presione janë rritur shumë më shumë kur në jetën e Triumfin ka ardhur Adelina (lidhja e tij me këngëtaren Adelina Ismaili)”, ka dëshmuar ai.
“Kishte thënë se kjo ishte sinjal prej grupit të Sekiraqës. Do të ndalem te kulmi i kësaj që ishte zyrtare është kur zyra operative e shtabit të Prishtinës, kur shefi i operativës në atë kohë Meinhoff Stofmann, na ka njoftuar me ‘memo’ dhe na ka kërkuar që të mbahet një mbledhje me mua e Triumfin edhe na ka njoftuar se Enver Sekiraqa është zënë nga inteligjenca. Gjatë përgjimit të telefonit të tij është zënë duke thënë se do ta vrasë triumfin dhe do të dal për një kohë nga Kosova”, ka thënë Selmanaj duke folur mbi Sekiraqen.
Selmanaj ka dhënë edhe detaje për rastin e sulmit të 2006-s.
“Unë jam plagosë pa asnjë arsye. Po ashtu kanë qenë shumë njerëz t’u e përfshi familjen time që kanë qenë të pranishëm në atë korridorin. Grupi i Enverit ka qenë edhe brenda edhe jashtë lokalit”, ka shtuar ai.
Polici Triumf Riza u vra me armë zjarri më 30 gusht 2007 me të dalë nga lokali AM:PM në lagjen Dardania në Prishtinë. Për vrasjen e tij është dënuar Arben Berisha, i cili ka pranuar se ka shtënë në drejtim të Rizës.
Këtij incidenti, siç pretendonte Prokuroria i ka paraprirë një seri incidentesh, ku më i voni ishte incidenti në Swiss Casino në dhjetor 2006, ku nga të shtënat me armë u plagos Arben Selmani.