Në prag të përfundimit të masës nga Gjykata Kushtetuese, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se Kushtetuesja do të kërkojë përsëritjen e votimit për të dy nënkryetarët nga komuniteti jo-shumicë.
Sipas Jakajt, në këtë situatë nuk ka pse të shkohet në zgjedhje.
“Fillimisht do ta konstatoj që ka pasur shkelje kushtetuese në procedurë nga kryetari Basha dhe më pastaj të kërkojë edhe përsëritjen për votim të dy nënkryetarëve sepse tanimë në publik bëhet fjalë vetëm për njërin nga nënkryetarët nga komuntitet serb, por jo, Gjykata Kushtetuese presim ta përsërisë votimin për të dy nënkryetarët sepse fryma e Kushtetutës dhe rregullores thotë që kërkon të propozohen në pako dhe të votohen në pako për të njëjtin qëllim në mënyrë që të sigurohet së paku shumica nevojshmë, së paku 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.”, deklaroi Jakaj në emisionin “60 minuta” në KTV.
Sipas Jakajt, kjo çështje ka mundur të mos dërgohet në Gjykatën Kushtetuese po të mos ndërhynte kryeparlamentari Dimal Basha, që sipas tij e devijoi mënyrën e votimit për këta dy nënkryetarë.
Gjykata Kushtetuese, aktualisht e ka në shqyrtim kërkesën e Listës Serbe për çështjen e konstituimit të Kuvendit.
Ndërkohë, në fund të gushtit, Kuvendi ka zgjedhur kryetarin dhe katër nga pesë nënkryetarët, duke e ndarë votimin e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë. Votat e mjaftueshme nuk i ka marrë asnjë nga deputetët e komunitetit serb për nënkryetar të Kuvendit, ndërsa kryetari i ri, Dimal Basha, e ka shpallur institucionin të konstituuar.