Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur dëshmia e dëshmitarëve të mbrojtjes. Diplomati amerikan gjatë kohës së luftës, James Rubin, tha se nuk ka marrë asnjëherë informata për përfshirjen e udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Rubin, që u përfshi edhe në negociatat e Rambujesë e edhe në ato për çarmatosjen e UÇK-së, tha se Thaçi u përgjigjej komandantëve dhe jo komandantët atij
Këshilltari i lartë i sekretares amerikane, Madeline Albright dhe zëdhënësi i departamentit amerikan të Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin, ka deklaruar të hënën, para Gjykatës Speciale në Hagë, se nuk ka marrë kurrë informata për përfshirjen e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në krime lufte.
Dëshmitari i parë i propozuar nga mbrojtja tha se nëse do të merrte informata të tilla, mbështetja amerikane për Ushtrinë Çlirimtare dhe shqiptarët do të tërhiqej.
Rubin, i cili pati kontakt direkt me Hashim Thaçin gjatë negociatave të Rambujesë, tha se ai ishte fytyra e gueriles, por jo vendimmarrës.
“Ai ishte një person që i ishte caktuar detyra të komunikonte me ne nga udhëheqja kosovare siç ishte asokohe. Ne nuk e kishim kuptuar mirë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por e kishim të qartë se ai nuk kishte autoritet e as mundësi të diktonte asgjë, por thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra diku e fshehur, ajo zyra e udhëheqjes shqiptare që merrte vendime në grup dhe që nuk ishin gjithmonë të pranishëm, kështu që ai duhet ta merrte lejen prej tyre”, ka thënë Rubin.
Në rastin ku akuzohen ish-presidenti Thaçi, ish-shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, si dhe ish-kryeparlamnetarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, mbrojtja e konteston përgjegjësinë e të akuzuarve për krime të luftës ku bëjnë pjesë mbi 100 vrasje, kryesisht të shqiptarëve që ishin pjesë e LDK-së.
Mbrojtja nuk e konteston se këto krime kanë ndodhur, por vetëm përgjegjësinë e të akuzuarve, derisa prokuroria pretendon se ata ishin në dijeni, ose kishin arsye për të qenë në dijeni për krimet.
E dëshmitari i Rubin, u shpreh se edhe lidhur me informatat për UÇK-në, Thaçi u drejtohej komandantëve të tjerë.
“Unë e kam parë vetë me sytë e mi që ai ishte i tërhequr sa i takon thelbit të çështjeve të UÇK-së dhe kishte një lloj distancimi prej tyre. Por gjithashtu edhe prej diferencës së moshës në atë kulturë, përshtypja ime ishte që ai ishte personi që iu kërkonte atyre mendimin për të bërë gjërat dhe ata i thoshin atij se çfarë drejtimi të merrte ose çfarë përgjigje të jepte”, ka shtuar ai.
Si për Thaçin, ashtu edhe për Krasniqin, ai tha se nuk hasi në prova që i ndërlidhin ata me vrasjet që përmenden në aktakuzën e ZPS-së.
“Rreth 25 vjet që jam larguar nga Qeveria kam pyetur të gjithë ata që kanë pasur informacion lidhur me këtë pretendim dhe jo vetëm në vitet 2000, por edhe dekada më vonë miqtë e mi që kishin informacione inteligjente kur kanë punuar ndonjë kohë, nuk më kanë dhënë informacione që bëjnë lidhjen e këtyre pretendimeve me ndonjërin prej drejtuesve të UÇK-së”, ka deklaruar ai.
Gjykimi i rastit më të madh të Speciales pritet të përfundojë këtë vit, kur mbrojtja pritet ta dorëzojë dosjen përfundimtare.
Pos Rubinit, para gjykatës pritet të dalin edhe 10 ose 11 dëshmitarë të tjerë.