Në episodin e 30-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, e ftuar është antropologia Janet Reineck, e njohur ndryshe si “Amerikania në Kosovë”.
Surroi: Sfida e Kosovës, të krijojë një ‘fuqi magnetike’ që i tërheq të rinjtë të qëndrojnë në vend
Kosova duhet të krijojë “fuqinë magnetike” që i tërheq të rinjtë të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në vend, ka deklaruar publicisti Veton Surroi në podcastin PIKË, gjatë një bashkëbisedimi me antropologen amerikane Janet Reineck, të njohur si “Amerikania në Kosovë”.
Surroi theksoi se sfida kryesore e Kosovës nuk është vetëm largimi i të rinjve, por mungesa e kushteve që i bëjnë ata të ndihen tërhequr nga vendi i tyre.
“Një fëmijë që e mbaron gjimnazin ka të hapura rrugët drejt botës. Çështja është si të krijohet fuqia magnetike në vend, që ta tërheqë më shumë këtu sesa atje”, u shpreh ai.
Ai shtoi se Kosova duhet ta pranojë se është pjesë e një shoqërie evropiane moderne, ku mënyra e jetesës po bëhet gjithnjë e më “policentrike”.
“Ai që jeton në Zyrih ose në Londër mund të punojë pesë ditë atje, e fundjavën ta kalojë në Kosovë. Kjo është një formë e re jetese që duhet ta pranojmë”, ka thënë Surroi.
Në vijim, ai foli për rëndësinë e “sinergjisë së kthimit”, duke e krahasuar me përvojën e Polonisë, ku shumica që emigruan u kthyen në vendlindje dhe tash ky shtet është prej më të fuqishmëve në Evropë.
“Kosova ka një potencial të madh jashtë vendit, me njerëz të arsimuar që mund të kontribuojnë. Është koha të arrijmë atë sinergji që e bëri Poloninë një nga ekonomitë më të zhvilluara të Evropës”, ka thënë Surroi.
Janet Reineck e përkrahu këtë vizion, duke theksuar se uniteti dhe vetëbesimi janë çelësi për zhvillimin e vendit.
“Paraardhësit tuaj kanë luftuar për liri. Tash që jeni të lirë, është koha të ndërtoni vendin së bashku, pa xhelozi dhe me dashuri për shqiptarizmin”, ka thënë ajo.
Rrëfimi i Reineckut për vitet ’90 në Kosovë: Letra e Rugovës i bindi t’i çonin vajzat në shkollë
Antropologia amerikane Janet Reineck, e njohur si “Amerikania në Kosovë”, në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, ka treguar përvojën e jashtëzakonshme gjatë viteve të ’90-ta në Kosovë, kur punonte në ndihmë humanitare dhe arsimim të vajzave në Komunën e Vitisë.
“Kam jetu tri vjet në Viti, në fshatin Tërpezë, me një familje prej 21 anëtarësh. Punojsha me renovu shkolla, me kriju kushte më të mira për fëmijët, për ujë e pastërti. Por pastaj vumë re se shumë vajza nuk shkonin në shkollë të mesme”, rrëfeu Reineck.
Ajo kujtoi se gjatë punës me organizatën britanike Oxfam, ishte përballur me qëndrime të forta patriarkale që pengonin shkollimin e vajzave.
“Shkuam derë më derë, nëpër borë e mal, me fol me baballarë e axhallarë pse s’po i çoni çikat në shkollë. Disa thojshin s’kemi pare, e unë u thojsha – sa po harxhoni për cigare? Me ato pare e çoni çikën në shkollë!” – tregoi ajo me humor.
Në disa raste, pengesa vinte nga baballarët që ishin në kurbet.
“Disa më thoshin – baba është në Zvicër, s’mundemi pa të. E unë thojsha – mirë, po shkoj vetë në Zvicër me i fol burrave!”, kujton Reineck.
Zgjidhja, siç rrëfeu ajo, erdhi në mënyrë simbolike përmes autoritetit moral të presidentit të parë të Kosovës.
“Më thanë – nëse Ibrahim Rugova thotë që duhet me çu çikat në shkollë, i çojmë. Atëherë shkova te Rugova, e kisha mik, i kërkova një letër. Ai shkroi, nënshkroi, dhe ne e çuam në fshat. U thashë: ‘Qe, Ibrahimi thotë – çoni çikat në shkollë!’ Dhe ato shkuan”, rrëfeu ajo.
Pas këtij rrëfimi, Surroi vlerësoi se për të lëvizur shoqërinë kosovare nevojitet “aksion politik që e sfidon inercionin e traditës”.
Reineck theksoi se sfidat e shoqërisë kosovare janë ende pjesë e një tranzicioni mes dy botëve.
“Shumë njerëz janë ende mes traditës dhe modernitetit, dhe po mundohen me gjet veten. Nuk po them se njëra është më e mirë se tjetra – veç dua që njerëzit të mos vuajnë”, ka thënë ajo.
Reineck: E dua Kosovën, më ka prekur në zemër që nga viti 1981
Në podcastin PIKË, të moderuar nga publicisti Veton Surroi, antropologia amerikane Janet Reineck, e njohur ndryshe si “Amerikania në Kosovë”, ka rrëfyer lidhjen e veçantë që ka me — një lidhje që ka nisur para më shumë se katër dekadash.
“I love Kosovo! Diqysh, e du Kosovën, më ka prekur në zemër që nga viti 1981, kur kam ardhur këtu për herë të parë”, ka thënë Reineck, duke kujtuar takimin e parë me shqiptarët në një festival folklorik në Zagreb dhe më pas vizitën në një dasmë në fshatin Gërmovë të Vitisë.
Në bisedë me Surroin, ajo përshkroi emocionet e para që përjetoi në Kosovë, në një kohë kur vendi po kalonte periudha të ndjeshme politike dhe shoqërore.
“Kam ardh për herë të parë në vitin 1980, bash kur Tito ka vdekë…”, rrëfeu ajo.
Reineck tregon se në fillim jetoi në “Breg të Diellit”, përballë sfidave të jetesës në një realitet krejt ndryshe nga ai amerikan.
“Kam qenë e vetmja amerikane, shumë pak njerëz flisnin anglisht. Ishte vështirë, por njerëzit më ndihmonin gjithmonë”, u shpreh ajo, duke kujtuar shokët e parë në Fakultetin e Gjuhës Angleze.
Në vijim, Surroi e quajti Reineck “kalifornianen e vetme opojane”, duke nënvizuar lidhjen e saj të thellë me kulturën dhe muzikën e Kosovës, të cilën ajo e përshkroi si “të egër, dramatike dhe të bukur në mënyrë unike”.