Kosova do të jetë nën ndikimin e masave ajrore relativisht të qëndrueshme gjatë javës 6-10 korrik, duke sjellë mot kryesisht me diell, vranësira të herëpashershme dhe temperatura tipike për muajin korrik.
Sipas parashikimit meteorologjik nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, të hënën dhe të martën priten mundësi për riga lokale shiu, kryesisht të izoluara, ndërsa pjesa tjetër e javës do të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm dhe i favorshëm për aktivitetet e përditshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTemperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 14 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të variojnë nga 24 deri në 30 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar.
Sipas meteorologëve, kushtet agrometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Megjithatë, reshjet e lehta të parashikuara nuk do të jenë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat ujore të bimëve, prandaj fermerëve u rekomandohet të vazhdojnë ujitjen, veçanërisht të kulturave perimore dhe sipërfaqeve me kapacitet të ulët për mbajtjen e lagështisë.
Në shumë rajone të Kosovës kanë nisur korrje-shirjet e grurit dhe kushtet e motit pritet të jenë të përshtatshme për zhvillimin e këtyre punimeve, me ndërprerje të mundshme vetëm lokalisht për shkak të reshjeve të shkurtra.
Edhe kushtet biometeorologjike do të jenë të favorshme për shumicën e qytetarëve. Temperaturat e freskëta gjatë mëngjesit dhe mbrëmjes, si dhe mungesa e vapës ekstreme, pritet të ndikojnë pozitivisht në mirëqenie. Megjithatë, ekspertët këshillojnë hidratim të rregullt dhe shmangie të ekspozimit të panevojshëm në diell gjatë orëve me rrezatim më të lartë UV.