Arbëri

Kafshimi i 4-vjeçarit nga qeni, askush nuk merr përgjegjësi

Kafshime në këmbën e djathtë ka pësuar të hënën që lamë pas, një fëmijë 4-vjeçar, si pasojë e sulmit nga një qen endacak brenda oborrit të çerdhes në të cilin qëndronte.

Sulmi ka ndodhur rreth orës 15 dhe në prani të edukatores përgjegjëse.

Pas sulmit, fëmija ka marrë trajtim mjekësor për lëndimet në këmbë. Përderisa babai i tij, Hysni Lumi, e përshkruan si të rëndë gjendjen emocionale të të birit.

“Rreth orës 3 na ka lajmëruar edukatorja e djalit se një qen është futur brenda rrethojave të kopshtit dhe na tha që e ka një gërvishtje, por derisa erdha te kopshti e pashë edhe ambulancën dhe e pashë që nuk është vetëm gërvishtje, por plagë më e madhe. Dhe kur u futëm brenda e pamë që gjendja është më e rëndë se që na kanë thënë. Pastaj e kemi dërguar edhe në emergjencë me kërkesë të ambulancës për t’u mjekuar më shumë. Atje është mjekuar djali. Gjendja e tij fizike është e mirë, por emocionalisht ai është i trembur”, tha Lumi.

Disa ditë pas sulmit, KOHA ka arritur të kontaktojë me edukatoren, Luljeta Berisha, e cila, pas sulmit, nuk ka qenë e pranishme në çerdhe për një javë rresht.

Duke theksuar se ende nuk është në gjendje të mirë psikologjike, Berisha ka thënë se gjatë kohës së sulmit ishte e pranishme dhe ka arritur ta shpëtonte fëmijën.

“Nuk mund të flas për këtë çështje deri të qetësohem. Prej të hënës jam duke marrë terapi psikologjik pasi kam qenë te psikologja dhe neuropsikiatri në një spital privat. Jam me truma nuk jam fare mirë. Atë ditë, unë e kam shpëtuar fëmijën, e kam tërhequr pastaj mu është vërsulur mua dhe më ka rrëzuar e në këtë mënyrë kam pësuar edhe gërvishtje. Ende kam të dridhura në trup dhe nuk mund të flas më shumë në lidhje me këtë çështje”, tha Berisha.

Prindërit e këtij kopshti kanë dërguar edhe fotografi, duke dëshmuar se prania e qenve endacakë brenda oborrit të çerdhes, ku fëmijët dalin për të luajtur, është e zakonshme.

Përgjegjësi për këtë rast nuk merr drejtoresha e institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, Indira Huruglica, e cila thotë se problemin me qentë endacakë ata e kanë lajmëruar Komunën e Prishtinës.

“Ne kemi përvoja kur personat përgjegjës i kanë marrë për kastrim dhe i kanë lëshuar prapë. Nuk mund ta bëj fajtor askënd për këtë rast, por nuk është që nuk kemi lajmëruar më herët në Komunë, ndoshta nuk e kemi bërë me e-mail, sepse nuk na ka ndodhë më herët. Do të vazhdojmë me kujdes më të shtuar dhe të sigurohemi që dyert e oborrit t'i kemi të mbyllura, sidomos kur fëmijët të jenë jashtë”, tha Huruglica.

Drejtoresha e Arsimit në Komunë të Prishtinës, Besianë Musmurati, thotë se incidenti ka ndodhur gjatë kohës kur prindërit marrin fëmijët nga çerdhja dhe dyert kanë qenë të hapura.

Sipas saj, ata janë duke shikuar të bëjnë një zgjidhje, pasi me rrethojat ekzistuesve në të gjitha institucionet arsimore, nuk mund të parandalohet hyrja e qenve endacakë.

“Incidenti ka ndodhur gjatë kohës kur dyert krejt kanë qenë të hapuara, gjatë kohës kur prindërit i marrin fëmijët nga çerdhja. Sa i përket rrethojave pak probelm është të bëhet ndonjë rrethojë standarde që s’munden me hy qentë, vec nës e bëjmë muri, pasi krejt rrethojat që i bon komuna janë standarde, te ato krejt munden me hy qentë brenda”, tha Musmurati.

Nga Drejtoria për Shërbime Publike kanë mbajtur përgjegjës institucionin parashkollor që nuk u ka gjetur zgjidhje rrethojave të dëmtuara të objektit.

Shefi i sektorit të Drejtorisë për Shërbime Publike, Habib Qorri, thotë se janë të njoftuar se institucionet e tjera parashkollore dhe edukativo-arsimore kanë probleme me qentë endacakë, por jo edhe çerdhja në fjalë.

“Çerdhja është e rrethuar dhe ka rrethoja të mira stabile, dhe nëse ka pasur diku dëmtime të rrethojës është dashur të kujdesen me kohë ata që menaxhojnë me çerdhen, sepse ata i kanë dyert dhe ne nuk kemi pasur kërkesë të veçantë që ka pasur probleme me qentë endacakë brenda hapësirë së kësaj çerdheje, në rastin konkret”, tha Qorri.

Për shkak të rrethojave të dëmtuara, probleme të përditshme ku qentë endacakë futen brenda oborrit, ka institucioni parashkollor “Dielli”.

Sipas drejtoreshës së kësaj çerdheje, Lumturije Gashi, pas kërkesave të bëra, DKA-ja shumë shpejt pritet të bëjë edhe ndërrimin e rrethojave.

“Institucioni ynë ballafaqohet me këtë rrezikshmërinë e qenve endacak. Në vazhdimësi tek ne puna edukative arsimor fillon nga ora 6 e 30 kur edhe fillojnë të vijnë kujdestarët e ditës dhe zakonisht edukatoret janë ankuar që në vazhdimësi ka rrezikshmëri se qentë endacak futen brenda. Pavarësisht që dera mbyllet por ka mundësi edhe përmes rrethojave të hyjnë pra përmes oborrit të çerdhes të qarkullojnë dhe është një rrezikshmëri e vazhdueshme sepse rrezikojnë edhe fëmijët, edukatorët, prindërit dhe të gjithë”, tha Gashi.

Ndryshe, nga DSHP-ja thonë se në vazhdimësi ata janë duke punuar në drejtim për trajtimin e qenve endacakë. Për momentin janë 4 kompani që po bëjnë trajtimin e tyre, përderisa 3 të tjera pritet shumë shpejt të nënshkruhen.