Katër persona janë arrestuar nga autoritetet portugeze të cilat kapën një narko-nëndetëse që transportonte mbi 1.7 tonë kokainë në Atlantik.
Anija gjysmë-nëndetëse ishte drejtuar për Gadishullin Iberik. Të dyshuarit u dërguan në paraburgim.
Shefi i njësisë për parandalimin e trafikimit të drogës në Portugali, Vitor Ananias, ka thënë se katër të arrestuarit janë me shtetësi të ndryshme dhe se kjo tregon se organizata prapa tyre nuk është me bazë në vetëm një shtet, raportoi BBC.
Operacioni erdhi pas informacionit se një anije po lundronte me kokainë dhe se destinacioni ishte në Evropë. Mbështetur nga Agjencia kundër Krimit e Britanisë dhe Administrata Amerikane kundër Drogës, autoritetet portugeze arritën ta ndalonin atë.
Në mars të këtij viti një anije e ngjashme me 6.5 tonë kokainë ishte sekuestruar po ashtu.