Arbëri

Kallas: Marrëveshja e Ohrit mbetet në fuqi, masat ndaj Kosovës kanë nisur të hiqen gradualisht

Në vizitën e saj të parë në Prishtinë në cilësinë e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka konfirmuar se Marrëveshja e Ohrit mbetet në fuqi teksa ka kërkuar që si Kosova ashtu edhe Serbia ta vënë atë në zbatim. Ajo ka bërë të ditur po ashtu se BE-ja ka filluar heqjen graduale të masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës, porse ka theksuar se ky proces është i kushtëzuar me ruajtjen e qetësisë në veriun e banuar kryesisht me serbë

Prioriteti kryesor për Bashkimin Evropian mbetet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila të enjten ka qëndruar për vizitë në Prishtinë.

E pyetur lidhur me mënyrat e reja që janë duke u shtjelluar në BE ashtu që dialogu të jetë më produktiv, Kallas ka theksuar se çështjen do ta shtrojnë ndaras me palët në Kosovë dhe në Serbi.

Me gjithë letrën që ish-kryeministrja dhe tani kryetarja e Parlamentit e Serbisë ia dërgoi BE-së, e me të cilën ka bërë zotimin se Beogradi zyrtar nuk do t’i zbatojë pikat e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Aneksit të Ohrit që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, Kallasi ka thënë se marrëveshja është fakt dhe se duhet të zbatohet.

“Jam e gatshme të jap kontribut nga koha dhe energjia ime për këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve, sepse është në interes të qytetarëve të Kosovës, sikurse edhe të Serbisë. Kështu që, e kemi përfaqësuesin e ri të emëruar, zotërinë Peter Sorensen, dhe jemi ulur bashkërisht për të parë se çfarë ka funksionuar dhe çfarë nuk ka funksionuar në këtë proces. Mendoj se gjëja e parë është të ulemi me të dyja palët, tash e kemi bërë ndaras, (të shohim) se si të ecim përpara me këtë proces. Marrëveshja e Ohrit është një fakt dhe duhet të zbatohet nga të dyja palët”, ka theksuar ajo.

Kallas: Masat hiqen gradualisht, por kusht është “qetësia” në veri

Në konferencën për shtyp të mbajtur në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, Kallasi ka bërë të ditur se kanë nisur që t’i hiqen gradualisht masat që BE-ja ia ka vendosur Kosovës në vitin 2023. Por ajo e ka përmendur rëndësinë e shtensionimit të situatës në veri.

“Si shenjë e përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka nisur gradualisht t’i heqë masat, të prezantuara në qershor 2023. Vendimi hap rrugën për mundësi të mëdha për zhvillimin e Kosovës dhe i afron lidhjet me Evropën. Por është i kushtëzuar në ruajtjen e shtensionimit në veri. Mbyllja e strukturave të përkrahura nga Serbia i minon përpjekjet drejt shtensionimit”, ka theksuar ajo.

Kallas ka thënë po ashtu se Kosovën e ka vizituar me qëllimin për të dëgjuar edhe për situatën e sigurisë.

“Prioritet kyç mbetet normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Jeni partnerë të barabartë në tavolinë. Si përfaqësuese e lartë do të vazhdoj ta mbështes këtë proces. Ata që kanë dyshime në të, le të jem e qartë: Normalizimi i raporteve është e vetmja rrugë për të ardhme më të sigurt dhe prosperuese për popujt e rajonit. Stabiliteti varet nga dialogu, jo nga konfrontimi”, ka thënë Kallasi.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së ka bërë thirrje edhe për formim më të shpejtë të institucioneve në Kosovë, teksa këtë e ka vlerësuar të domosdoshme për të paraqitur agjendën e reformave dhe për të përfituar nga Plani i Rritjes i BE-së. E për anëtarësimin në bllokun evropian, Kallasi ka theksuar se nuk ka rrugë të shkurtër.

“Kosova i përket familjes evropiane. Por nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësim. Progresi mund të arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme”, është shprehur ajo.

Teksa e ka lavdëruar forcimin e institucioneve demokratike, Kallas ka thënë se Kosova ka ngecur me situatën aktuale politike dhe me dialogun. Ajo ka thënë se për Kosovën është esencial formimi sa më i shpejtë i institucioneve.

Pas konferencës për shtyp, Kallasi ka pasur në mbrëmje një darkë pune me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti teksa ka takuar edhe përfaqësues të partive politike.

Kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se gjatë takimit me Kallasin ka theksuar se propozimi i partisë që ai e drejton për qeveri tranzicionale është “ideja e vetme funksionale” teksa ka shtuar se është biseduar edhe për çështjen e heqjes e masave, për dialogun dhe të ardhmen.

“I shpreha qëndrimet e LDK-së mbi domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Republikës së Kosovës. Këto masa më shumë se një Qeveri, dëmtojnë vet popullin e Kosovës. I shtrova dhe pikëpamjet tona mbi procesin e dialogut dhe të ardhmen që na pret. E njoftova mbi krizën aktuale politike në vend dhe propozimin e LDK-së për qeverinë gjithëpërfshirëse si ide e vetme funksionale sot. Rrugëtimi euroatlantik i Kosovës kërkon besim politik, kërkon guxim vendimmarrës, siç dhe kërkon një Bashkim Evropian që ofron vizion dhe të ardhme për popullin e Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Kallasi të enjten ka vizituar edhe Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si dhe komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.

Kallas u kërkon liderëve në Serbi ta qartësojnë orientimin strategjik

Diplomatja e lartë evropiane para Prishtinës ka qëndruar të enjten në Beograd. Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Kallasi e ka theksuar rëndësinë e dialogut me Kosovën.

“Nuk ka të bëjë vetëm me përmirësimin e marrëdhënieve, por është e një rëndësie esenciale për të ardhmen e Serbisë. Është koha të lihet prapa e kaluara dhe të punohet për të ardhmen e përbashkët. I ftoj përfaqësuesit e Beogradit dhe të Prishtinës të vinë në Bruksel sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të diskutojnë për hapat konkretë përpara”, ka thënë ajo në Beograd.

Nga liderët politikë në Serbi, Kallasi ka kërkuar angazhim për reformat e nevojshme dhe qartësim mbi drejtimin strategjik të shtetit.

“Është e qartë se anëtarësimi në BE mbetet synim strategjik i Serbisë, megjithatë, dua të theksoj se ne duhet të shohim veprime që e dëshmojnë këtë dhe i mbështesin këto fjalë. Reformat janë ato që tregojnë se si Serbia do të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, ka thënë Kallas. “Kjo bëhet më së miri, duke rikthyer besimin dhe duke qëndruar të vërtetë ndaj parimeve demokratike”.

E Vuçiqi ka bërë të ditur se në takim me Kallasin ka biseduar për çështje gjeopolitike, për situatën e sigurisë në rajon, për rrugën evropiane të Serbisë dhe për dialogun me Kosovën.

“Serbia është e vendosur për dialog konstruktiv me ndërmjetësimin e BE-së, si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, dhe se mbrojtja e serbëve në Kosovë është prioriteti ynë absolut”, ka shkruar Vuçiq në Instagram. Ai e ka përsëritur se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është vetëm obligim për të cilin jemi marrë vesh, por edhe një parakusht për përparim të mëtejmë në dialog, dhe për çfarëdo normalizimi marrëdhëniesh”.

Vizita e Kallasit në Beograd është realizuar disa ditë pasi që Vuçiqi ka mbajtur takim në Moskë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ndaj të cilit Perëndimi ka vendosur sanksione për shkak të agresionit në Ukrainës.  

E pyetur nga gazetarët nëse me Vuçiqin ka biseduar rreth vizitës së tij në Moskë më 9 maj, Kallas ka thënë se e ka shprehur qëndrimin e saj, i cili është “shumë i qartë”.

“Nuk e kuptoj pse është e rëndësishme të qëndrosh krah për krah me dikë që po udhëheq një luftë të tmerrshme në Ukrainë”, ka theksuar Kallas.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ka përsëritur se blloku evropian pret nga të gjitha vendet kandidate që t’i harmonizojnë politikat e tyre të jashtme me ato të Bashkimit Evropian.

Vizita e Kallasit në Prishtinë është ndërmarrë në kohën kur përfaqësues shtetërorë në Kosovë i kanë shpeshtuar thirrjet për heqjen e masave ndëshkuese. Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar ditë më parë që këto masa të hiqen para vazhdimit të dialogut me Serbinë, të cilin BE-ja e lehtëson.

E në BE e kanë përsëritur kërkesën për shtensionimin e situatës në veriun e banuar kryesisht me serbë, pasi që autoritetet e Kosovës kanë vazhduar me mbylljen e institucioneve paralele serbe, në atë që ka nxitur reagim në Brukselin zyrtar.