Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se Lugina e Preshevës ka nevojë urgjente për mbështetje të fuqishme politike dhe diplomatike në qarqet ndërkombëtare.
Teksa ka shprehur shqetësimin e tij për kërkesat që nuk po marrin drejtim të duhur dhe nuk po gjejnë zbatim real, ai ka bërë thirrje që të respektohet “Plani shtatë pikësh”.
“Duke pasur parasysh se OSBE, delegacioni i BE-së në Beograd dhe Ambasada e SHBA-së kanë qenë ndërmjetësues dhe mbështetës të procesit të miratimit të ‘Planit me shtatë pika’, u jemi drejtuar edhe këtyre përfaqësive diplomatike me kërkesën që, përmes ndikimit të tyre, të parandalojnë çdo proces devijues dhe manipulativ”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Ai tutje ka thënë se u është drejtuar edhe presidentit dhe kryeministri të Serbisë, duke theksuar qartë se për ta është e papranueshme çdo tentativë për të fituar kohë apo për të shtyrë zbatimin e obligimeve që dalin për Serbinë nga ky plan.
Kamberi ka bërë të ditur se me anë të një letre ka informuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe atë të Shqipërisë, Edi Rama, duke kërkuar angazhim maksimal diplomatik për të ndaluar përpjekjet që po synojnë të relativizojnë dhe të zëvendësojnë procesin e dakorduar ndërkombëtarisht me iniciativa të njëanshme.